Lashtësia e Prizrenit e shpall Sali Berishën Qytetar Nderi
Mijëra qytetarë të Prizrenit dhe të të gjithë Kosovës e pritën dje në mënyrë madhështore, në hyrje të Qytetit të Lidhjes, njeriun që shpalli i pari aspiratën “Një komb-Një qendrim” dhe që mbrojti gjatë dy ditëve të vizitës në Kosovë, bindjen se Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen shumë shpejt, në suazën e Evropës së Bashkuar
Kryeministrit Sali Berisha mbylli vizitën e tij në Kosovë, duke vizituar qytetin e Prizrenit, nga ku u nderua me titullin “Qytetar Nderi i Prizrenit”. Në ceremoni i pranishëm ka qenë dhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi. Kreu i qeverisë shqiptare, është pritur në mënyrë madhështore nga mijëra qytetarë, të cilët u mblodhën në sheshin kryesor dhe para godinës së komunës së qytetit, për të pritur kryeministrin Sali Berisha, siç e quajnë ata, “kryeministrin e shqiptarëve”. Fillimisht, Berisha dhe delegacioni që e shoqëronte u pritën nga kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja dhe qytetarë të shumë të mbledhur aty. Më pas, kryeministri zhvilloi një takim me kryetarin e komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, i cili, gjatë një ceremonie solemne, i dorëzoi Kryeministrit titullin “Qytetar Nderi” i Prizrenit. Në fjalën e tij, kryetari i komunës së Prizrenit Ramazan Muja vlerësoi kontributin që Kryeministrit Berisha ka dhënë në vite dhe po jep për çështjen e Kosovës. Në fjalën e tij, kreu i ekzekutivit shqiptar, Sali Berisha e ka quajtur këtë moment si shumë të rëndësishëm. Berisha ka theksuar se qyteti i Prizrenit është një djep i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe të Kosovës. Gjatë një shëtitje nëpër qytet, kreu i qeverisë shqiptare, vlerësoi se Prizreni është i lashtë sa vetë lashtësia e kombit, por në të gjitha kohërat ruajti identitetin kombëtar. Para qytetarëve të Prizrenit, Berisha premtoi se të dyja qeveritë do të vendosin standardet më të larta, nëpërmjet marrëveshjeve të lëvizjes për qytetarët shqiptarë dhe lëvizjen e mallrave, në mënyrë që të kapim kohën që kemi humbur dhe të ecim sa më shpejtë së bashku. Po dje, kryeministri Berisha zhvilloi një vizitë edhe në Bjeshkët e Prevallës, në afërsi të qytetit të Prizrenit. Kreu i qeverisë, Sali Berisha mbyll vizitën në Kosovë - Kosova përcjell me entuziazëm Berishën, mijëra qytetarë përshëndetën kryeministrin Flamuri kombëtar është mbajtur në duart e qytetarëve shqiptarë të Kosovës, të cilët, në ditën e dytë të vizitës së kryeministri Sali Berisha atje, mbushën rrugët dhe sheshet e qyteteve, duke e ndjekur hap pas hapi, në çdo ndalesë, sipas axhendës së tij. Berisha, për hir të reputacionit, pritet si një hero në Kosovë, në Kosovën e pavarur, për të cilën dha një kontribut të jashtëzakonshëm diplomatik, bashkë me anëtarë të kabinetit qeverisës. Në vizitën e tij të dytë në Kosovë, kryeministri pati një axhendë të ngjeshur takimesh. Pas atyre me kryeministri Hashim Thaçi, Presidentin Fatmir Sejdiu, kryeparlamentarin Jakup Krasniqi dhe faktorë të tjerë të politikës së Kosovës, Berisha vijoi dje duke vizituar qytetin e Prizrenit, ku mori edhe titullin “Qytetar Nderi”, për të vijuar me homazhet në nderim të heroit Adem Jashari, në Prekaz, ndalesa në monumentin që simbolizon lindjen e shtetit të ri të Kosovës “New Bborn”. Berisha zhvilloi takime me komandantin e KFOR-it në Kosovë, Lieutenant Gjeneral Markus Bentler, me përfaqësuesin e grupit negociator të ndërkombëtarëve, Pieter Feith dhe me përfaqësues të minoriteteve në Kuvendin e Kosovës. Berisha i garantoi përfaqësuesit shtetërore të Kosovës, se Shqipëria do të vazhdojë të luajë rol strategjik, në drejtim të lobimit për njohjen e pavarësisë. Gjithashtu, në ditën e parë të vizitës, të dy kryeministrat Berisha dhe Thaçi, u shprehën entuziast për zgjerimin e bashkëpunimit dy palësh, në fusha të gjëra dhe në interes të shqiptarëve në të dy anët e kufirit. Berisha mbylli vizitën e tij të suksesshme në Kosovë, përmes një ndalese në qytetin e Prizrenit, ku u nderua me titullin “Qytetar Nderi i Prizrenit”, për kontributin e dhënë në drejtim të proceseve shtet-formuese të Kosovës. “Adem Jashari, kurora e përjetshme e luftërave dhe përpjekjeve shqiptare” Kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, e nisi ditën e dytë të qëndrimit në Kosovë me vizitën në Prekaz, ku zhvilloi homazhe në varrin e dëshmorit dhe heroit legjendar të luftës çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharit. Berisha shoqërohej nga Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe autoritete të tjera të larta. Kryeministri u prit me entuziazëm të jashtëzakonshëm, mes duartrokitjeve, përshëndetjeve, emocioneve, lotëve të atyre që kishin dalë për ta pritur në këtë vizitë të parë në Kosovën e pavarur. Pas homazheve, kryeministri Berisha, në nderim dhe vlerësim të sakrificës sublime të Adem Jasharit dhe gjithë familjes së tij, u shpreh se asnjë komb tjetër nuk ka bërë sakrificat e shqiptarëve për liri e dinjitet. Më pas, shefi i ekzekutivit, iu drejtua shtëpisë së Adem Jasharit dhe u takua me familjarë të tij, të cilëve u shprehu mirënjohjen dhe nderimin për sakrificën sublime të kësaj familjeje. Kryeministri Berisha bëri homazhe edhe në varrin e heroit Shaban Palluzha. “Ibrahim Rugova, një burrë shteti unik në historinë e kombit shqiptar” Një burrë shteti, unik në historinë e kombit shqiptar, i cili ia doli të shkrijë në një politikanin, shtetarin dhe misionarin, e ka vlerësuar ish- Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, Kryeministri Sali Berisha. Në vizitën e parë në Kosovën e pavarur, Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga zonja e tij, Liri Berisha, zhvilloi homazhe dhe nderime në varrin e ish- Presidentit të Kosovës, zotit Ibrahim Rugova, në Prishtinë, dhe më pas një vizitë në familjen Rugova, ku u takua me bashkëshorten dhe fëmijët e tij. “Erdha për t’i shprehur nderimin më të thellë zonjës Rugova për ndihmesën e madhe që ajo ka dhënë në mbështetjen ndaj Presidentit Rugova”, tha kryeministri Berisha gjatë vizitës që zhvilloi në familjen Rugova. Duke vlerësuar figurën e ish-Presidentit Rugova, Berisha u shpreh se “në shpirtin e tij qëndrestar, mençurinë, intelektualizmin, vendosmërinë, Presidenti Rugova lartësoi çdo ditë të veprimtarisë së tij, çështjen e drejtë të shqiptarëve në Kosovë”. Pas lufte, vijoi Berisha, Ibrahim Rugova udhëhoqi Kosovën deri në prag të pavarësisë, duke u shndërruar në shtyllën kryesore të besimit të shqiptarëve dhe të komunitetit ndërkombëtar për Kosovën e lirë, të pavarur dhe multietnike. “Shqipëria, jo trupa ushtarake në Kosovë, me qeverinë po punon në drejtime të tjera” Kryeministri Sali Berisha, në vazhdim të vizitës së tij në Kosovë, u takua me komandantin e KFOR-it, Lieutenant Gjeneral Markus Bentler. Gjatë kësaj vizite, Komandanti i KFOR-it, pasi e informoi Kryeministrin Berisha për veprimtarinë e KFOR-it, për ruajtjen e paqes dhe stabilitetin në Kosovë, e falënderoi kryeministrin shqiptar për mbështetjen që qeveria shqiptare i ka dhënë kësaj strukture në vazhdimësi. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, kryeministri Berisha vlerësoi rolin e KFOR-it në Kosovë, duke e konsideruar atë si një mision të suksesshëm, në përmbushjen e detyrës më sublime, atë të lirisë së Kosovës. I pyetur në lidhje me pjesëmarrjen e trupave paqeruajtëse shqiptare në Kosovë, të inkuadruara në misionet e NATO-s, Kryeministri Berisha u përgjigj se Shqipëria po bashkëpunon me Kosovën në dy drejtime të tjera, ku nuk përfshihet pjesëmarrja ushtarake. “Perspektiva drejt NATO-s dhe BE-së, rruga e vetme, për konsolidim demokratik” Në vijim të vizitës në Kosovë, kryeministri Sali Berisha u takua dje me drejtuesin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar dhe përfaqësues i Bashkimit Europian në Kosovë, Pieter Feith. Feith e falënderoi kryeministrin Berisha për vizitën e tij zyrtare në Kosovë, duke e cilësuar këtë vizitë dhe mesazhet që Kryeministri dha si një inkurajim të madh për punën e autoriteteve të Kosovës, por edhe të organizmave si Grupi Drejtues Ndërkombëtar në përpjekjet e përbashkëta për të ndihmuar shtetin më të ri të Evropës, Republikën e Kosovës. Kryeministri Berisha e falënderoi për pritjen e përzemërt dhe i shprehu mirënjohjen tij të thellë për të gjithë punën që Feitth dhe Grupi që ai drejton po bën, për ndihmën e Bashkimit Evropian që ai gjithashtu përfaqëson, për kontributin e tyre në konsolidimin e institucioneve në Kosovë dhe ndihmën që ata po japin që Kosova të ecë përpara me reformat në të gjitha fushat e të njihet sa më shpejt pavarësia e saj, si dhe për ta përgatitur Kosovën për perspektivën e saj të integrimit në NATO dhe BE. Kryeministri Berisha e konsideroi perspektivën e Kosovës në NATO dhe BE si rruga më e mirë që do t’i ofrojë autoriteteve të Kosovës, qeverisë, institucioneve një udhërrëfyes të shkëlqyer për ecjen përpara me reformat, për konsolidimin e shtetit më të ri, të lirë e demokratik të Kosovës. Kryeministri Berisha i shprehu Pieter Feith dhe misionit që ai drejton përkrahjen e plotë të qeverisë shqiptare e të Shqipërisë.
...