E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Moisiu prezanton librin: "Midis Nanos dhe Berishës", mbërrin për lexuesit beratas

BERAT- Pasi është promovuar në qytetin e Vlorës, libri i fundit i ish-presidentit të vendit, Alfred Moisiu, ka mbërritur për lexuesit beratas. Aktiviteti për promovimin e librit "Midis Nanos dhe Berishës", pjesë e "Kujtimet e Një Presidenti", e cila është pjesa e tretë e vëllimit dhe përfshin vitet 2002-2007, është organizuar dje në mbrëmje në këtë qytet. Ka qenë shtëpia botuese "Toena" dhe bashkia e këtij qyteti të cilat mundësuan sjelljen e këtij libri për lexuesit beratas. "Në këtë libër pasqyrohen kujtimet dhe ngjarjet, ndërhyrjet dhe veprimet, sukseset dhe dështimet, dëshirat dhe mundësitë që e kanë shoqëruar Presidentin Alfred Moisiu për periudhën 5-vjeçare (2002-2007), kur ai ka kryer detyrën e kryetarit të shtetit", është shprehur në këtë takim me artdashës të librit drejtuesja e shtëpisë botuese "Toena", Irena Toçi. Ndërsa autori i librit, ish-kryetari i shtetit, Alfred Moisiu" u shpreh midis të tjerash se "mungesa e shkrimeve të periudhave historike të jetuara nga çdo politikan ka bërë që historia jonë të bastardohet në mënyrë të rrezikshme". Moisiu ka pohuar se Shqipëria nuk ka dalë nga tranzicioni, ajo ka 19 vjet që jeton në tranzicion pasi kemi papunësi të madhe, zhvillim të pabarabartë ekonomik, probleme të korrupsionit galopant si dhe probleme të disnivelit ekonomik, ku disa pasurohen me shpejtësi dhe të tjerët vdesin për bukën e gojës, dhe ç‘është më e keqja asnjeri nga politikanët shqiptarë nuk e di se kur do të përfundojë ky tranzicion. Dy figurat politike janë përmendur në librin tim, ka thënë Moisiu, për t‘ju rrëfyer veprimtarinë e tyre politike, pasi tranzicioni në të cilin ndodhemi është prodhim i një pune të politikanëve tanë.

Në përfundim të aktivitetit ish-kryetari i shtetit, Alfred Moisiu, i është përgjigjur edhe interesimit të medias rreth mendimit për zhvillimet politike në vend.

Pyetjes se si e vlerëson bojkotin e opozitës në Kuvend, Moisiu i është përgjigjur se "nuk dua që të përzihem me palët, por them se çështja e manipulimit të zgjedhjeve duhet të marrë fund njëherë e mirë në vendin tonë. Nuk mund të them se është apo jo bojkoti mënyra më e mirë, por gjykoj se kjo është një përpjekje që vërtet kërkon që të përfundojë njëherë e mirë manipulimi i zgjedhjeve në Shqipëri dhe të bëjmë edhe në zgjedhje siç bëjnë të gjithë të tjerët, pa pasur merak se vota e shqiptarëve nuk do të numërohet ashtu si e ka vendosur zgjedhësi".

Mi.H.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›