E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liria kthehet me fitore të thellë

Prizren, 22 gusht - Skuadra e Lirisë është këndellur pas humbjes 5:0 nga Hysi në xhiron e parë dhe të shtunën mposhti Besën me rezultat 3:0. Ndeshja u zhvillua në stadiumin "Përparim Thaçi" dhe i takoi javës së dytë të Raiffeisen Superligës. Fatih Karahoda (43', 83') dhe Rafet Mullallari shënuan për fitore.

Futbollistët e Lirisë dominuan gjatë tërë ndeshjes, ndërsa më kërcënuesit për portën e portierit mysafir Valmir Bytyqi ishin Karahoda dhe Mullallari.

Besa rastin e vetëm në pjesëlojën e parë e pati nëpërmjet Krenar Vokshit (38') që nuk arriti të befasonte portierin Asman Ruxhi. Kur kishin mbetur edhe dy minuta lojë deri në pushimin mes dy pjesëlojëve, në skenë del Karahoda që pas tollovisë së krijuar nuk e pati vështirë të mposhte Bytyqin.

Me të nisur pjesëloja e dytë, Mullallari (50') dyfishon epërsinë me një gjuajtje të saktë.

"Treguam një lojë cilësore dhe ishim të angazhuar gjatë tërë ndeshjes. Fituam një ndeshje të rëndësishme dhe gradualisht po rikthejmë lojën tonë", tha trajneri prizrenas Behajdin Gjinali.

Skuadra mysafire pati edhe dy tentativa për gol, por gjuajtjet e Fetim Kasapit (54') dhe Krenar Vokshit (66') nga distanca nuk befasuan Ruxhi.

Luhej minuta e 83-të kur Karahoda shënon golin e tij të dytë dhe të tretin për Lirinë. Ai shfrytëzoi habinë e Bytyqit për të vulosur rezultatin e ndeshjes.

"Ishte një humbje e thellë dhe e papritur. Lirisë i uroj fitoren ndërsa neve na mbetet t'i përmirësojmë gabimet tona. Kësaj here dështoi mbrojtja jonë", tha trajneri pejan Valdet Shoshi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›