E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambjentet e Kompleksit Dinamo pret te henen vendimin e Agjencise se Sherbimit te Sporteve

Besohet se do të jetë dita e hënë, ajo vendimtarja për fatin e skuadrës së futbollit të Dinamos. Konkretisht, bëhet fjalë për kushtet në të cilat blutë do të kenë në dispozicion fushat dhe ambiente të tjera në kompleksin sportiv që më parë ka qenë i tyri, ndërsa sot është në funksion të sporteve të ndryshëm, në kuadër të Agjencisë së Shërbimit të Sporteve.

Së fundi, drejtuesit blu kanë paraqitur me shkrim kërkesat e tyre në Agjenci, por edhe në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MTKRS), me shpresën për të pasur një zgjidhje sa më të shpejtë.

Kërkesat e bluve janë që të kenë dy fushat e futbollit në dispozicion pa limit, ndonëse njëra prej tyre, ajo me bar natyral është në gjendje të vështirë. Po ashtu, Dinamo kërkon një kat hoteli, dy zyra, lavanderinë dhe mensën, po ashtu pa limit.

Drejtoresha e Agjencisë së Shërbimit të Sporteve, Shala, refuzon në mënyrë kategorike që të mund të plotësohen kërkesa të tilla, pa afate kohore.
Ajo theksoi në linjë telefonike për “abc neës” se do të mbështetet në ligj dhe se gjithçka mund t’u jepet bluve deri për 4 orë përdorim. Shala shtoi se Dinamo do të ketë prioritet, por tashmë kompleksi i përket edhe federatave të tjera dhe ekipeve kombëtare të atyre sporteve, ndaj edhe nuk mund të pranojë këto kërkesa.

Gjithsesi, vendimi i bordit të Agjencisë pritet të hënën dhe ndoshta me fillimin e javës së re mund të përfundojë edhe ky konflikt e blutë të nisin punën për kampionatin e ri. Ata e dinë vetë që janë shumë vonë, por në këto kushte, të paktën të nisë një herë puna. Sesi do të bitiset, mbetet për t’u parë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›