Lirimi i Kajollit, Prokuroria bën rekurs në Gjykatën e Lartë

Fatmir Kajolli
TIRANE Mbërrin në Gjykatën e Lartë debati gjyqësor mbi masën e sigurisë të Fatmir Kajollit, këshilltarit të Bashkisë së Fierit, i kërkuar nga Drejtësia italiane. Pak ditë pasi togat e zeza të Gjykatës së Fierit nuk pranuan kërkesën e Prokurorisë për ekstradimin e Kajollit, organi i akuzës i është drejtuar Gjykatës së Lartë në lidhje me masën e sigurisë ndaj tij. Burime zyrtare të Gjykatës së Lartë bënë të ditur regjistrimin e kërkesës së Prokurorisë së Fierit për vlerësimin e arrestit të Kajollit dhe caktimit të masës së sigurisë ndaj tij. Rekursi i Prokurorisë mbi vendimin e Apelit që la në fuqi arrestin e shtëpisë për Kajollin është regjistruar në Gjykatën e Lartë më 15 qershor. Në kërkesën e Prokurorisë, te pjesa e objektit thuhet shprehimisht se organi i akuzës kërkon: Vleftësim të arrestimit: Caktimin e masës së sigurimit për efekt të ekstradimit jashtë shtetit në zbatim të vendimeve të gjykatave të huaja. Fatmir Kajolli u arrestua më 9 prill për llogari të Drejtësisë italiane. Ai rezultonte person në kërkim ndërkombëtar, pasi ishte dënuar me 40 vite burg nga dy gjykata italiane për akuza të trafikut të narkotikeve. Tri ditë më pas ai u lirua pasi Gjykata e Fierit caktoi ndaj tij masën e sigurisë arrest shtëpie. Ky vendim u la në fuqi më pas edhe nga ana e Gjykatës së Apelit Vlorë. Në vijim, më 11 qershor, Gjykata nuk lejoi ekstradimin e Kajollit. Togat e zeza rrëzuan kërkesën e Prokurorisë për dorëzimin e tij te pala italiane. Sipas Gjykatës, ekzistonin parregullsi në letër-porosinë e dërguar nga autoritetet italiane me kërkesën për ekstradimin e tij. ar.ba