E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirimi i gjeneralëve, debat tek komisioni i Sigurisë

Bëhet fjalë për lirimin nga detyra të gjeneralëve Arian Zaimi dhe Kudret Çela.

Mazhoranca nuk ishte dakord që përfundimet e nxjerra nga grupi i punës për lirimin e gjeneralëve të paraqiteshin në komision, pasi për këtë çështje ishte shprehur më parë me një vendim Gjykata Kushtetuese.

 "Komisioni, bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të merrte në shqyrtim ankesën e gjeneralëve pavarësisht se personat e caktuar kishin përgatitur raporte. Kjo bie ndesh me nenin 77 të Kushtetutës dhe vendimin  e Gjykatës Kushtetuese. Opozita kërkoi të bënte show-n e radhës, ndërkohë që asaj iu kërkua të njihej me vendimet e Kushtetueses", u shpreh  deputeti i PD-së, Fatos Hoxha.

Deputeti i Partisë Socialiste, Pirro Lutaj, e cilësoi alarmante vendimin për lirimin nga detyra të gjeneralëve. "Mandatimi që na është bërë ne deputetëve nuk ka të bëjë me një vendim përfundimtar, nëse ata gjeneralë do të vazhdojnë të jenë në ushtrinë shqiptare ose jo, por ka të bëjë me paraqitjen konkrete të procedurës që shoqëron shkarkimin e tyre", tha Lutaj. Dy gjeneralët, Arian Zaimi dhe Kudret Çela janë ankuar në komisionin e Sigurisë për mënyrën se si kanë dalë në lirim. Ata janë shprehur se urdhrat për lirimin e tyre janë bërë në kundërshtim me ligjin dhe kanë kërkuar rikthimin në detyrë. /Start/

                                                                                             2012-04-27 16:50
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›