Lirohen 11 të dyshuar, do hetohen në liri
Prokuroria e Krimeve të Rënda, vendosi arrestimin vetëm për shtatë persona të ndaluar në bashkëpunim me policinë një ditë më parë
Të liruarit do hetohen në Prokurorinë e Tiranës për 9 vjedhjet e grupit, ndërsa kërkohen disa të tjerë të dyshuar
TIRANË- Një ditë pas përfundimit të operacionit policor "Hija e Natës", që kishte qëllim goditjen e një supër grupi të përfshirë në vjedhjen e bizneseve dhe kasafortave të tyre, Policia e kryeqytetit njoftoi goditjen e grupit me një deklaratë të përbashkët me Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Drejtori i Policisë së Tiranës, Drejtues i Parë Tonin Vocaj, dje rreth orës 13:30 doli në një konferencë për shtyp, në krah të të cilit ishin dy prej prokurorëve të Krimeve të Rënda që hetuan çështjen, Anton Martini e B. Muçi. Në deklaratën e tij, Vocaj njoftoi se në fund të operacionit, kishin arrestuar 7 persona si të përfshirë në veprimtari kriminale.
Në operacionin që kishte nisur dy net më parë, policia kishte ndaluar dhe shoqëruar në ambientet e saj 18 persona të dyshuar si pjesëtarë të këtij grupi për grabitjen e disa bizneseve në Tiranë, por u arrestuan vetëm shtatë vetë.
Elton Lika, 26 vjeç, Sajmir Kuçi, 26 vjeç, Sulejman Bakalli, 26 vjeç, Taulant Mataj, 26 vjeç, Euklid Habili, 27 vjeç, Dritan Duka, 28 vjeç dhe Admir Burri, 31 vjeç të gjithë me banim në Tiranaë, janë arrestuar si të dyshuar për disa vjedhje për një periudhë nëntë mujore në kryeqytet. Ndër të arrestuarit personi më i njohur për policinë është Sulejman Bakalli, i dyshuar si autor vrasjeje, dhe i arrestuar disa herë për grabitje me armë në kryeqytet.
Të liruarit, sipas burimeve të policisë, 11 persona si dhe një grup tjetër prej së paku pesë vetësh identitetet e të cilëve policia nuk i bëri të ditur, mësohet se do të transferohen në prokurorinë e Tiranës e cila edhe do të vazhdojë hetimin e mëtejshëm të veprimtarisë kriminale të tyre.
Gjatë kontrolleve të banesave të të arrestuarve, hetuesit sekuestruan një kasafortë, dy automjete që shërbenin për lëvizjen dhe transportin e sendeve të vjedhura, 2 kompjuterë lap- top, rreth 4 000 euro, disa aparate celularë e mjete që shërbenin për hapjen e kasafortave.
Ngjarja më e bujshme që dyshohet të jetë realizuar nga të arrestuarit është vjedhja e kasafortës me 600 milionë lekë në banesën e biznesmenit Ilirjan Çela, me 28 prill të këtij viti si dhe bastisja e ambasadës Daneze. Vjedhja më e fundit e kryer nga banda është realizuar të premten në mbrëmje vonë ku është vjedhur një agjenci udhëtimi në Durrës.
Vjedhjet
Zbulimi i i autorëve të këtyre grabitjeve dhe bastisjeve në Tiranës, ka qenë jo pak i lehtë për hetuesit e policisë së Tiranës, për shkak se autorët në objektin e menduar për grabitje shkonin me doreza, dhe mjete të tjera për humbjen e gjurmëve, mjete metal prerëse dhe sende që shqyenin dyert e banesave, si material për prerje me oksigjen etj.
Për javë të tëra agjentët e grupeve të vëzhgimit dhe të grupeve të tjera të hetimit të krimeve ndaj pronës janë angazhuar në vëzhgimin e personave të ndryshëm të skeduar me tendencën kriminale të vjedhjes.
Kjo ka bërë që policia të seleksionojë në mënyrë të vazhdueshme persona të ndryshëm të cilët janë vënë re të lëviznin orëve të vona të mbrëmjes në kryeqytet me mjete luksoze që në fakt nuk i përgjigjeshin të ardhurave që ata kishin.
Pas seleksionimit të tyre në mënyrë të kujdesshme policia ka krijuar dyshime konkrete për një grup personash të cilët janë mbajtur nën vëzhgim dhe më pas janë filmuar dhe regjistruar në forma dhe teknikat e hetimit policor.
Drejtuesi i Policisë së kryeqytetit u shpreh dje se strukturat e hetimit të policisë së kryeqytetit, kanë informacione se të arrestuarit në bashkëpunim edhe me persona të tjerë, kanë kryer një sërë vjedhjesh, që prej vitit 2000 në autostradën Tiranë - Durrës si dhe janë të dyshuar për një sërë vjedhjesh të tjera të ndodhura në Tiranë.