Malësi e Madhe, qendrat shëndetësore jashtë funksionit
PROBLEMI/ Pavarësisht se mund të jenë ndërtuar të reja, godinat nuk përdoren për mungesë mjetesh
SHKODËR - Disa qendra shëndetësore në rrethin e Malësisë së Madhe ndodhen jashtë funksionit për shkak të amortizimit të ndërtesave apo mospajisjes së tyre me bazë materiale.
Në fshatrat malorë Linaj, Kçar, Rrashkullaj, Demiraj në komunën Gruemirë, Vermosh e Brojë në komunën e Këlmendit, Lohe e Sipërme në komunën e Shkrelit etj, ndërtesat që kanë shërbyer për qendra shëndetësore, ose janë shkatërruar e kanë dalë jashtë funksionit, ose ka mungesë mjetesh dhe, edhe pse janë ndërtuar të reja, nuk u kanë shërbyer banorëve të këtyre zonave.
E tillë është qendra shëndetësore në fshatin Linaj në komunën e Gruemirës e cila ndodhet jashtë funksionit dhe godina është ndërtuar e re. Qendra shëndetësore në fshatin Lohe e Sipërme është ndërtuar si objekt dy vjet më parë me fonde të vetë komunës, nga të ardhurat që grumbullohen prej taksave, por 370 banorët e këtij fshati nuk kanë pasur mundësi të përfitojnë nga shërbimi shëndetësor i këtij objekti, pasi mungon plotësimi i saj me mjetet e nevojshme.
Në disa qendra shëndetësore ka probleme me ndërtesat, diku mungon mjeku ose infermieri apo mjetet e nevojshme, shprehen banorët, ndërsa pushteti vendor e ai qendror tregohen indiferentë.
Për çdo shërbim mjekësor të nevojshëm, banorët e këtyre zonave me mjetet e tyre private janë të detyruar të shkojnë në qytetin e Koplikut apo të Shkodrës. Banorët shprehen se kjo situatë është prej vitesh.
Edhe pse kanë nevojë për shërbim shëndetësor, ai mbulohet pjesërisht nga personeli i mesëm shëndetësor që jeton në këto zona, ndërsa këto qendra shëndetësore nuk janë në funksion. Madje dhe ato që janë ndërtuar të reja, kanë dalë tashmë jashtë përdorimit pasi janë dëmtuar nga persona të ndryshëm që kanë marrë dyer apo dritare.