E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirohen aktivistët e “Vetëvendosjes”

(E plotësuar) Tre aktivistët e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca, Zgjim Hyseni dhe Blerim Maçastena, janë liruar gjatë orëve të pasdites, ka konfirmuar policia.

“Po, kam marrë vesh që ata janë liruar, por këtë e konformon më mirë gjykata”, ka thënë Agron Borovci zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Lirimin e tre aktivistëve të saj e kanë konfirmuar edhe nga “Vetëvendosja”, transmeton Zëri.

U arrestuan për dëmtimin e automjeteve të EULEX-it

Kryetari i Gjykatës Komunale në Prishtinë, Nuhi Uka, ka konfirmuar për media se urdhërarrestet ndaj tre aktivistëve të "Vetëvendosjes" janë lëshuar meqë "ata nuk i janë përgjigjur ftesës për të konfirmuar akuzën për dëmtimin e automjeteve të EULEX-it, verën e vitit të kaluar".

Sot para fillimit të seancës gjyqësore ndaj liderit të "Vetëvendosjes", policia ka arrestuar dy aktivistët e kësaj lëvizjeje , Glauk Konjufca dhe Zgjim Hyseni.

Ndërkohë në Besianë rreth mesditës është arrestuar aktivisti Blerim Maqastena, derisa ishte duke mbledhur nënshkrime për peticionin kundër gjykimit të Albin Kurtit, raporton RTK.

Lëvizja “Vetëvendosje” i ka cilësuar arrestimet me motive politike. Visar Ymeri ka thënë se përmes këtyre akteve po synohet të pengohen aktivitetet e lëvizjes.

Gjykimi ndaj Kurtit shtyhet për 2 mars

Shtyhet sërish gjykimit ndaj liderit të “Vetëvendosjes”, Albin Kurtit, për mungesë të gjyqtares Fllanza Kadiu, sikur është thënë, për shkaqe shëndetësore.

Kryetari i trupit gjykues, Ferdianand de Mengot, njoftoi se seanca gjyqësore ndaj Kurtit shtyhet për 2 mars, për shkak të mungesës së Fllanza Kadiut, e vetmja gjyqtare shqiptare në panelin gjykues dhe për shkak të mosarrestimit të të padituri Kurti, megjithë fletarrestim e lëshuar nga prokuroria.

Më pas, gjykatësi De Mengot tha se Polica e Kosovës urdhërohet që të ekzekutojë urdhrin për arrest për seancën e radhës.

Nga ana tjetër, avokati i Kurtit, i caktuar sipas detyrës zyrtare, Ramiz Krasniqi, ka kërkuar nga gjykatësi De Mengot që ta pranojë kërkesën për dorëheqje. “Deklaroj se nuk mund të jem avokat i Albin Kurtit. Kjo është hera e fundit, besoj, që shihemi në seancë”, tha Krasniqi.

“Do të keni kohë të gjeni dikë deri më 2 mars, sepse unë nuk mund të veprojë kundër ndërgjegjes time”, shtoi ai.

Para fillimit të seancës gjyqësore, policia ka arrestuar dy aktivistët e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca dhe Zgjim Hyseni.

Zëdhënësja e EULEX-it, Kristina Herodes, nuk ka dhënë sqarime pse është bërë arrestimi i tyre. “Duhet ta pyetni policinë. Ne nuk i dimë arsyet pse janë arrestuar”, tha ajo, për gazetarët.

Visar Ymeri, aktivist i “Vetëvendosjes”, tha se ky arrestim tregon se EULEX-i dhe institucionet e Kosovës po i ndjekin sistematikisht aktivistët e tyre.

Ai përsëriti qëndrimin se gjykimi ndaj Albin Kurtit është i motivuar politikisht. “Gjykata është vendi ku ka më së paku drejtësi”, u shpreh ai.

I pyetur se ku gjendet lideri i tyre, Ymeri u përgjigj: “Albini po i kryen aktivitetet e tij në ristrukturimin e lëvizjes ‘Vetëvendosje’. Saktësisht nuk e dimë vendin ku gjendet...Mos të harrojmë se lëvizja ‘Vetëvendosje’ ka edhe qendra të tjera nëpër Kosovë”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›