E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirohen dy oficerët e burgut, të ndaluar për arratisjen e Markut



Artan CENA
TIRANË - Janë liruar nga akuzat dy oficerët e Burgut 313, të cilët u arrestuan si përgjegjës për arratisjen e Ajet Markut. Burime nga Prokuroria e Tiranës kanë bërë të ditur se dje është urdhëruar edhe lirimi nga qelia i Kamber Hoxhës dhe Eqerem Dishës. Prokuroria e Tiranës i ka liruar dy të arrestuarit, si jo përgjegjës për ngjarjen. Ndërkohë është zbardhur dhe përgjegjësia, sipas Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, për arratisjen spektakolare të të paraburgosurit Ajet Marku. Sipas të dhënave të marra nga Prokuroria e Tiranës mësohet se shefi i Policisë në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimit Penal, Kamber Hoxha, duhet të kishte raportuar për rrezikun që kanosej për mungesën e telave në murin rrethues që lidh Burgun 313 me Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, të çështjeve penale, për të përforcuar masat. Ndërkohë që Eqerem Disha, specialist i Sigurisë në Burgun 313 në Tiranë, nuk kishte vendosur punonjës policie roje në fushë. Ndërsa punonjësit e policisë të rolit bazë Xhevat Hidri, Frrok Binaku dhe Dritan Rama duhet të kishin bërë të mundur ndalimin e tij. Burime nga prokuroria bënë me dije se edhe arma me të cilën kanë qëlluar efektivat e burgjeve në ajër, kur kanë parë 20-vjeçarin duke kaluar murin, ka ngecur. Mësohet se edhe arma tip kallashnikov, po ashtu, nuk ka punuar mirë.
AKUZAT
Ndalimi i Kamber Hoxhës, Eqerem Dishës dhe vendosja nën hetim e tre policëve, Xhevat Hidri, Frrok Binaku dhe Dritan Rama, u bërë pasi pak ditë më parë, në orën 10:47, në ambientet e ajrimit të Burgut 313 dyshohet se ishin ulur masat e sigurisë që çoi në arratisjen e Ajet Markut. Aktualisht, në ngarkim të paraburgosurit Ajet Markaj është bërë shpallja në kërkim policor dhe nga strukturat e hetimit të krimit të Policisë së kryeqytetit po punohet intensivisht për kapjen e tij. Hoxha ishte në pozicionin e përgjegjësit të Sigurisë në burgun “Jordan Misja” dhe Eqerem Disha është emri i specialistit të trupës së regjimit të brendshëm, të cilët janë vënë nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Dhe për tre policët është ngritur akuza e “shpërdorimit të detyrës” dhe hetimi ndaj tyre do të bëhet në gjendje të lirë.
ARRATISJA
Ajet Marku, 20 vjeç, i arrestuar për veprat penale të “vjedhjes së bankave dhe të arkave të kursimit“, mbetur në tentativë dhe “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, ka qenë duke luajtur futboll në kohën kur u arratis. Ai mësohet se ka arritur të kacavirret në murin rrethues të paraburgimit që lidhet me Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, ku gjykohen çështjet panele. Edhe pse punonjësi i shërbimit është përpjekur që ta ndalojë atë, i riu ka mundur të largohet, duke lënë në fushën e futbollit vetëm një prej atleteve të tij. Polici i shërbimit ka qëlluar 26 herë në ajër, pasi nëse drejtonte armën drejt të paraburgosurit, atëherë plumbat mund të hynin në ambientet e gjykatës. Por, edhe pse është qëlluar me armë, i riu ka mundur që të largohet. Policia e kryeqytetit është duke punuar për të arrestuar Markajn, i cili prej tri ditësh është i lirë.

Arratisja, lëvizje në burgje
TIRANË - Arratisja e të paraburgosurit nga oborri i ajrimit ka sjellë edhe lëvizje të drejtorëve në burgje. Mësohet se nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve është bërë një lëvizje e tre drejtorëve. Me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Gazmend Dibra, është vendosur që Shkëlqim Kalemi, drejtori i Burgut të Shën-Kollit, Lezhë, të komandohet në Burgun e sigurisë së lartë në Fushë-Krujë. Drejtori i këtij burgu, Sajmir Mungeci, është emëruar sërish drejtor në Burgun 313 në Tiranë, institucion, të cilin e ka drejtuar një vit më parë. Ndërsa Sokrat Feinaj, i cili deri dje ushtronte detyrën si drejtor në Burgun 313, është emëruar në Shën-Koll të Lezhës.

Shpërthim në një lokal, pranga një shqiptari
ATHINË - Një shqiptar është vënë në pranga mbrëmjen e dy ditëve më parë pasi akuzohet për vendosje eksplozivi në një qendër muzike. Shpërthimi i madh ka tronditur lagjen “P. Faliro”, në Athinë. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00, ndërsa ky është akti kriminal i dytë brenda disa ditëve, në të njëjtën lagje. Qendra muzikore ku ndodhi ngjarja gjendet në rrugën “Posidhonos”, rrugë kjo me qarkullim të madh gjatë 24 orëve. Pas shpërthimit, forca të shumta policie shkuan në qendrën e natës, e cila është në pronësi të një biznesmeni të njohur grek, Stiv Kakeci. Sipas policisë, lënda e vendosur që shkaktoi shpërthimin e madh ishte dinamit dhe shkaktoi shumë dëme materiale. Për fat të mirë në ato momente nuk kishte njeri në qendër, pasi biznesi nuk funksionon sezonin e dimrit, por vetëm në verë. Dëshmitarët e ngjarjes thanë se aty pranë panë një shqiptar që po vinte vërdallë qendrës. Policia mundi disa orë më vonë të arrestojë emigrantin shqiptar, i cili nuk ka pranuar se ka lidhje me shpërthimin, por policia dyshon se emigranti shqiptar është ai që vendosi dinamitin, pasi iu gjetën shenja baruti në trup si dhe shenja të tjera nga vendi i ngjarjes. Gjithashtu në laboratorët e policisë, po analizohen shenjat e një tjetër shpërthimi që ndodhi disa javë më parë në një qendër nate në rrugën “Petru Rali” në Athinë.

Vrasja e Ardian Kadiut, hetohen sherret banale
FUSHË-KRUJË - Policia po heton për zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e autorëve të ekzekutimit të 37-vjeçarit nga Fushë-Kruja. Sipas policisë, viktima e atentatit me pistoletë, Ardian Kadiu, ishte banor i Fushë-Krujës, i martuar dhe me fëmijë. Nga të njëjtat burime konfirmohet se ngjarja ka ndodhur në orën 17:30 të ditës së premte, teksa Kadiu po ecte në këmbë drejt shtëpisë. Në momentin e krimit nuk ka pasur persona pranë vendit të ngjarjes. Pas krismave, disa banorë i kanë afruar ndihmë viktimës dhe e kanë dërguar në ambulancën e qytetit. Më pas ai është transferuar për në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku ka ndërruar jetë. Për policinë, "viktima rezulton njeri jo problematik dhe i rregullt". Një nga pistat e hetimit është ajo e një konflikti të mundshëm të tij me një ose disa persona para disa ditësh.

6 Dhjetor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›