Lirohen katër mjekët e Korçës
KORÇE/ JORGJETA GJANÇI
Gjykata e Korçës liroi dje katër të arrestuarit, përgjegjës për vdekjen e 5-vjeçarit të pickuar nga gjarpri. Në seancën e marrjes së masës së sigurisë, prokuroria kërkoi arrest me burg për të katër të arrestuarit, por trupi gjykues vendosi "detyrim paraqitje" për ta, duke argumentuar se vepra për të cilën akuzohen nuk përbënte rrezikshmëri shoqërore. Në fund të seancës, gjykata komunikoi edhe vendimin e saj për mjekun anestezist Ilir Milo dhe infermierët Olger Hoxhallari, Julian Mato dhe Kostika Karamitro. Që të katër këta punonjës të pavijonit të Kirurgjisë në Spitalin e Korçës u akuzuan në fillim nga familja e fëmijës dhe më pas edhe nga prokuroria për mjekim të pakujdesshëm. Ata nuk i kryen injektimin e serumit antivipera, që sipas drejtuesve të spitalit ishte në farmaci. Mjeku dhe infermierët u kërkuan prindërve të vogëlushit ta blinin atë në farmaci, ndërsa më pas rezultoi se serumi që do t'i shpëtonte atij jetën ishte gjendje në spital. Dje në seancat gjyqësore, të cilat u zhvilluan më vete për secilin, iu komunikua akuza e mjekimit të pakujdesshëm me pasojë vdekjen e fëmijës 5 vjeç, që u pickua nga gjarpri në fshatin Leminot.
Për veprën për të cilën akuzohen bluzat e bardha, Kodi Penal parashikon dënimin nga gjobë deri në 5 vjet privim lirie. Sipas masës së re të sigurisë, të katër të akuzuarit vazhdojnë të jenë nën hetim, por për shkak të mungesës së rrezikshmërisë shoqërore do të hetohen në gjendje të lirë. Pasi dolën nga gjykata, asnjëri prej të liruarve nuk pranoi të komentonte ngjarjen dhe as arrestimin e tyre. Madje, mjaft nga familjarët e tyre u shfaqën armiqësore ndaj mediave, të cilat pasqyruan prej disa ditësh ecurinë e hetimeve në lidhje me ngjarjen, e cila u konsiderua si një skandal. Dje në Gjykatën e Korçës nuk ka pasur asnjë familjar të fëmijës së vdekur. Gjithashtu, ata nuk kanë shfaqur asnjë reagim në lidhje me lirimin e mjekëve, të cilët nuk i dhanë djalit të tyre serumin që do t'i shpëtonte jetën. Burime nga gjykata bënë të ditur se mjeku dhe infermierët i kanë qëndruar së njëjtës deklaratë të bërë prej tyre edhe në polici. Ata u shprehën para togave të zeza se nuk kishin qenë në dijeni se serumi antivipera ishte gjendje në farmacinë e spitalit. Mjekë dhe infermierë të tjerë të spitalit të Korçës, të cilët nuk pranuan të prononcohen me emër u shprehën dje se prej vitesh një serum i tillë nuk gjendej në spital. Ata kanë mbetur të habitur nga deklarata e menjëhershme e drejtuesve të këtij spitali se serumi ishte gjendje. Ndërkohë, një ditë pas deklaratës së tyre, një maune e madhe nga Tirana erdhi në mënyrë urgjente dhe furnizoi spitalin me ilaçe.
Fëmija vdiq për një serum
Fëmija 5-vjeçar nga fshati Leminot i Korçës u pickua nga gjarpri, ndërsa po kalonte në një arë të mbjellë me jonxhë. Ai po shkonte bashkë me të vëllanë për t'u freskuar në rezervuarin e fshatit. Pasi gjendjes së rënduar, familjarët e çuan atë në spitalin e Korçës, por mjekët duke menduar se nuk kishin serum, i kërkuan prindërve të tij që ta blinin në farmacitë private. Ata nuk kishin mundësi financiare, ndaj fëmija ndërroi jetë pas 8 orësh
Infermierët protestuan për kolegët
Pas arrestimit të infermierit të tretë, infermierët e Qendrës Spitalore të Korçës lanë punën dhe organizuan një protestë në mjediset e spitalit, gjatë së cilës kërkuan lirimin e kolegëve të tyre nga arresti. Sipas tyre ata ishin të pafajshëm. Njëherësh kërkuan gjetjen e personave përgjegjës tek mjekët, të cilët japin urdhrat për terapinë që duhet të zbatojnë infermierët për çdo pacient të shtruar në urgjencë apo në pavijonet e spitalit
Pezullohet mjeku, infermierët në punë
Drejtoria e Spitalit të Korçës ka vendosur marrjen e disa masave administrative. Për mjekun anestezist Ilir Milo është vendosur pezullim nga puna deri në zbardhjen e ngjarjes dhe paralajmërim për pushim. Për kirurgët Vladimir Ballço dhe Roland Çule, që ishin mjekë roje ditën e diel kur u çua djali i helmuar në spital, u vendos paralajmërim nga puna dhe ulje në detyrë. Me vërejtje për pushim nga puna u dënua edhe kryeinfermierja e repartit të kirurgjisë Marjana Zhilla. Ndërsa për katër infermierët e dy turneve që i shërbyen 5-vjeçarit, Olger Hoxhallari, Julian Mato, Kostika Karamitro si dhe një infermiere tjetër morën vërejtje. Marrja e këtyre masave largon nga puna vetëm mjekun e pezulluar, ndërsa dy mjekët kirurgë të zbritur në detyrë, kryeinfermierja dhe katër infermierët, tre prej të cilëve u liruan nga qelia, që dje vazhduan punën sipas turneve përkatëse.