E Diel, 1 Nëntor 2026

Martesa fiktive për prostitucion, në pranga tre trafikantë shqiptarë

 

ITALI - Realizonin martesa false për t'u mundësuar femrave shtetësinë italiane dhe më pas i shfrytëzonin si prostituta. "Bashkëshortët" e skllaveve të seksit paraqiteshin në altar kundrejt shumave që shkonin në mijëra euro. Policia italiane njoftoi dje arrestimin e një grupi të shfrytëzimit të prostitucionit, mes të cilëve edhe tre shqiptarë. Sipas lajmeve të publikuara në agjencitë elektronike të lajmeve në vendin fqinj, grupi operonte në zonën e Kasertës. Burimet saktësonin se pas operacionit policor përfunduan të prangosur shtatë persona, 5 meshkuj dhe 2 femra, mes të cilëve Arjan Bucpapaj, Shkëlzen Kalaveri dhe Besarda Ibraj, shtetas shqiptarë, aktualisht me qëndrim në Itali. Grupi i shfrytëzimit të femrave për prostitucion po hetohej nga autoritetet italiane që prej disa muajsh. Bëhet e ditur se investigimi i hetuesve ka filluar pas denoncimit të bërë nga një femër shqiptare, motra e së cilës kishte përfunduar në "kthetrat" e trafikantëve. Gruaja me origjinë shqiptare i ishte drejtuar policisë për të shpëtuar motrën, e cila ishte detyruar të prostituonte në zonën e Enel di Mondragone dhe ishte mbajtur e burgosur në një banesë në Villa di Briano. Ndërkohë për identifikimin e autorëve të trafikut dhe shfrytëzimit dhe rolet e tyre në veprimtarinë kriminale, agjentët policorë kanë kontaktuar edhe me disa prej vajzave të shfrytëzuara si prostituta. Vajzat që përfundonin të trafikuara nga grupi kriminal, pjesë e të cilit ishin edhe të arrestuarit e djeshëm, vinin nga vendet e Evropës Lindore, kryesisht nga Shqipëria, Rumania dhe Greqia. "Femrat janë sjellë në Itali nga Shqipëria si klandestine në bordin e gomoneve dhe pas mbërritjes u privohej liria dhe keqtrajtoheshin dhe kërcënoheshin me vdekje, për t'i detyruar të prostituonin" citojnë agjencitë e lajmeve italiane. Sipas policisë italiane, me anë të dokumenteve të falsifikuara trafikantët realizonin martesa të rreme mes shtetasve italianë dhe femrave të trafikuara, për t'i mundësuar atyre përfitimin e shtetësisë italiane. "Bashkëshortët" shkonin në altar kundrejt një pagese që varionte nga 5 deri në 10 mijë euro, duke u bërë njëkohësisht edhe bashkëpunëtorë me grupin kriminal të trafikantëve. "Qytetarët italiane që prezantoheshin në martesat e rreme, lejonin shfrytëzimin e prostitucionit, duke u bërë pjesëtarë të organizatës kriminale", thuhej në agjencitë e lajmeve. Personat me shtetësi italiane të arrestuar nga operacioni i djeshëm ishin Francis Aleksei, 49 vjeç, Antonio Alesio, 24 vjeç, Arcangelo Acelo De Pucchio, 45 vjeç dhe Assunta Volente 44 vjeç. Referuar burimeve policore italiane në ditët në vazhdim pritet të ketë të tjera arrestime, po në lidhje me trafikantët e ndaluar ditën e djeshme.                            ar.ba.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›