E Diel, 1 Nëntor 2026

Lirohen nga detyra 260 policë, nuk kaluan testin e shkollës

Ata do t’i japin “lamtumirën” uniformës, sapo të fillojnë punë fituesit e rinj

Mbi 260 punonjës do të largohen nga policia, pasi nuk kanë kaluar në testin bazë të shkollës së policisë. Informacioni është siguruar nga burime konfidenciale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ndërkohë që largimi i tyre pritet të kryhet pas përfundimit të shkollës së policisë nga ana e rekrutëve të rinj, me qëllim që mos të mbeten vende vakante. Shifra e lartë e largimeve ka ardhur gjatë një procesi gjashtëmujor kursesh dhe tashmë pritet që të gjithë ata që kanë ngelur në testet përkatëse, të lirohen nga policia.

Sipas të dhënave, të gjithë këta punonjës policie do të lirohen nga detyra, pasi nuk kanë mundur të fitojnë pikët minimale në shkollën e policisë, që është bërë me detyrim për çdo punonjës. Burimet policore shpjegojnë se ata kanë plotësuar numrin e pikëve negative gjatë kursit. Siç dihet, pak kohë më parë nisën kurset e para për punonjësit e policisë, të cilët janë në detyrë dhe kishin të drejtë rroge pikërisht sipas gradës që mbanin. Kursi është me detyrim për të gjithë punonjësit e policisë dhe nëse një punonjës policie nuk kalon teorinë, atëherë ai nuk mund ta vazhdojë praktikën. Megjithatë, kjo ndodh në çdo sistem arsimor, por e veçanta për ta është se nuk mund të marrin pjesë sërish në provime, pra nuk mund të kenë një shans të dytë.

Burimet policore shpjegojnë se sistemi i përllogaritjes së pikëve është në një mënyrë të re. Në çdo testim që kryejnë punonjësit e policisë gjatë tre muajve teori, ata duhet të marrin përkatësisht nga 65 pikë. Nëse ata marrin më pak se kufiri minimal, pra më pak se 65 pikë, atëherë u shënohen pikë në vlerën negative. Sipas shpjegimit, nëse marrin 62 pikë, ata plotësojnë 3 pikë negative. Por, nga testimet e shumta, sasia e pikëve negative mund të rritet, pavarësisht se ka një kufi maksimal. Burimet policore shpjegojnë se nëse punonjësi i policisë arrin në 36 pikë negative, atëherë ai është i larguar automatikisht nga policia. Në këtë moment ndërpret kursin dhe shumë shpejt bëhet edhe largimi i tij nga policia. Kështu pritet të ndodhë me 260 oficerë policisë, të cilët kanë qenë në kurs gjatë këtyre gjashtë muajve dhe kanë dështuar, duke plotësuar numrin e pikëve negative. Ata kanë plotësuar këtë kufi pikësh dhe janë përjashtuar nga kursi e shumë shpejt do të largohen edhe nga policia. Sipas të dhënave, ata shërbejnë në funksione të ndryshme policie në disa qytete, por të gjithë janë të rolit operacional. Pavarësisht se ata kishin shumë vite në radhët e policisë, nuk kanë mundur t’i kalojnë me sukses këto testime që kryhen në shkollën e policisë. Sipas të dhënave, pikët më të shumta i kanë humbur në testimet për të drejtat e njeriut dhe procedurat e shoqërimit të personave në ambientet policore.

Gjatë muajit janar, kur mbaroi kursi i fundit, numri total i të ngelurve në shkollë ishte 140 efektivë. Ndërsa në mars ngelën dhe 23 të tjerë, kështu që për një hark të shkurtër kohor, mbi 160 efektivë policie kanë humbur të drejtën ta vazhdojnë karrierën e tyre në polici, sidomos në shërbimet operacionale. Ndërsa këtë muaj, numri total i tyre ka shkuar mbi 260 veta. Kryesisht, këta persona janë dërguar në sektorin e policisë së ruajtjes së objekteve. Megjithatë, policia nuk ka dhënë asnjë informacion zyrtar se çfarë do të bëhet me këta punonjës, të cilët prej shumë vitesh shërbejnë në polici dhe nuk kanë arritur t’i kalojnë provimet. Punonjësit e policisë shprehen se këto dështime në disa raste kanë ardhur për shkak të gjuhës së përdorur në literaturën e studiuar, pasi sipas tyre është “kopjuar” ajo e përdorur për Policinë e Kosovës. Tashmë, nga të dhëna të besueshme mësohet se ata do të lirohen nga radhët e policisë dhe mund të futen vetëm në shërbimet mbështetëse. Largimi i tyre do të bëhet pasi studentët e policisë të mbarojnë shkollën dhe praktikën dhe të bëhen gati për të marrë detyrat përkatëse.

Shkolla bazë e policisë u nda në disa etapa, por që i ngjan më shumë një kursi disamujor. Faza e parë është ajo e teorisë dhe faza e dytë e praktikës. Kështu nisën kurset e para e të rekrutuarve, por vonë, nga drejtuesit e Policisë dhe Ministrisë së Brendshme, erdhi edhe kualifikimi në këtë shkollë edhe për të gjithë punonjësit e policisë, pavarësisht se kishin shumë vite në punë. Në këto kushte, Policia e Shtetit deklaroi se këtë shkollë do e kryejnë gjithë punonjësit e policisë të cilët nuk kanë mbaruar Akademinë e Policisë me sistemin 3-vjeçar. Planifikimi për të kualifikuar gjithë këta punonjës policie u bë që të mbarojë afërsisht deri në vitin 2011, për shkak se nuk mund të lihen mungesa në shërbimet bazë të policisë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›