Ditari online i deputetit disident të çadrës së jugut
S’bën fajde fostoksina, pasi minjtë e çadrave, tani kanë pushtuar Bulevardin dhe rrezikojnë përhapjen e epidemive
Më fal, e dashur grua që të qetësova dje me njoftimet për burgun e vogël të minjve në çadrën ku rri Ilir Beqja si dhe për fostoksinën që morën për shfarosjen e familjes së vogël të brejtësve, prej veç 15 anëtarësh. Sot më ka hyrë tartakuti, mjaltëz (prapë e ke pa zë stomaku, se përfundimisht, brejtësit ma kanë larguar krejt oreksin), nga të bërtiturat e kryetarit. Kishte ndërprerë i shkreti takimin e tij të shumëpritur me atë mikun e vet intim në Paris, sepse i kishte ardhur lajmi se minjtë mund t’i rrezikonin kauzën. Erdhi vetëtimthi, thuajse në ilegalitet për të kontrolluar se si ishte gjendja me të vërtetë, dhe aty për aty, sa pa familjen e burgosur të brejtësve, vendosi që të ndryshonte strategji: “S’do t’i mbajmë në burg”, klithi. Le t’i lëmë të lirë, si mesazherë të kauzës. Brejtësit i kam përdorur edhe më herët në Kullën e Pezës, edhe tek apartamenti i Koços në Bllok, bile edhe tek Anri në Paris. Ata janë mesazherët më të mirë. Janë krejt si ata bartësit e viruseve që përdorin celulat terroriste, mbërrijnë atje ku s’ta pret mendja. Atje dua të shkojnë edhe dëshmitarët e grevës tonë. U pataksëm të gjithë nga vendimi, por shpresat se mos neveria e Shegushit do na nxirrte nga situata, nuk piu ujë. Ajo ndërhyri si shqiponjë, duke britur: “Shumë mirë kryetar, le të na e dijë edhe parlamenti, edhe qeveria hallin tonë, bashkëjetesën tonë të vështirë”. S’po të them mjaltëz se s’ia ia përmjerri kryetari bashkëjetesën Shegushit, por fakti është se familja 15-anëtarëshe fitoi lirinë e plotë të qytetarisë në çadrat tona. Kaq u desh që brejtësit të mblidhnin gjithë farefisninë e tyre qindramijëshe, një numër që e shndërroi automatikisht në impotent kasharsin tonë me fostoksinën e të atit. U hoq dorë nga kryqëzata, por edhe u liruam nga meraku për pastrimin e thërrmijave ushqimore. Aq punë sa është për t’u bërë, është kryer nga grevistët e rinj brejtës, të cilët, që të themi të drejtën janë aq punëtorë, saqë jo veç kanë pastruar thërrmijat tona, por kanë nisur të shfaqin edhe njëfare dashamirësie, teksa po sjellin në kthim thërrmija nga restorantet përballë, tek Dy Kullat. Prej andej dëgjojmë vazhdimisht britma tmerri, por kjo shoqërohet me klithje gëzimi, kur shohim se sa të ngarkuar vijnë këndej miushët tanë, mjaltëz.
Të lutem, grua, mos u merakos për higjenën time, se këtë merak nuk e ka më as kryetari, e as Ilir Beqja. Ata duken fort të ambientuar me bashkëjetesën me brejtësit. Tani kam nisur ta kuptoj edhe se pse janë shtuar minjtë-heronj në prodhimet e Hollivudit. Janë largpamës ata, jo si fshatarët që kalojnë këto ditë Bulevardit, të cilët duatrokitjet për sakrificat tona, po i zëvendësojnë me klithjet e tmerrit, për shkak të përballjeve pa semafor me qiraxhinjtë tanë brejtës. S’po u them minj, pasi Vasilika Hysi na tërhoqi sot publikisht vërejtjen për të mos e përdorur këtë term të përgjithshëm me konotacion pezhorativ, pasi ajo kishte idenë se ai thyente një konventë për mbrojtjen e brejtësve, për të cilën nuk i kujtohej numri i saktë i saj, por që KSHH-ja me siguri do t’ia konfirmonte në rastin më të parë. I jemi bindur të gjithë, pasi të themi të drejtën, në ditën e 8-të të grevës, s’mund të mos e neglizhojmë shkathtësinë e minjve për të kaluar bulevardin, të ngarkuar me grimca ushqimesh nga restoranti i Fidelit.
Po mbahemi mjaltëz, megjithëse ditët po kalojnë e kryetari s’po na thotë se kur do të shohim dritë në fund të tunelit. E rëndësishme është se me aleatë si minjtë e kryetarit, s’ka pushtet që na e del, sadolarg e lart të gjendet...lëre se ai gjendet fare afër dhe sikur ia ndiejmë bezdinë që ndjen për praninë e bashkëqiraxhinjve tanë fare pranë tyre... Po s’ka ç’bën se s’hy dot në kompetencat e pushteti vendor dhe Shalësi na ka deklaruar qartazi se minjtë janë kompetencë e Bashkisë së Tiranës.
Sot kemi qenë të lirë, mjaltëz nga censura e Koços, pasi edhe ai ngjan të jetë shndërruar optimist për punën e minjve. Ai seç ka idenë e çuditshme se do të jenë minjtë që do të sjellin shpejt pushtimin e bulevardit dhe do të errësojnë numrin e pakët të protestuesve në Bulevard. Sot sidomos, me dështimin e Artës e të Pandeliut, shyqyr që qenë brejtësit, se desh u fëlliqëm fare...
Gjithsesi është lart morali, grua (morali, të kuptohemi, asgjë tjetër...)
A domani, mia topolina!