E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kam ecur duke i rezistuar kohës”

Me rastin e 120-vjetorit te lindjes dhe 50-vjetorit te vdekjes se Boris Pasternakut, i cili shkroi kryevepren “Doktor Zhivago” ose “Gezimi qe e mposht friken e vdekjes”. Pasternak ka thene:

Më në fund arrita ta gjeja fillin e asaj që kisha humbur. Në një revistë franceze, që po shfletoja, kapa shkrimin e papërfunduar të një shkrimtari të sotëm rus. Sapo fillonte analiza e romanit “Doktor Zhivago” shkrimi qe prerë dhe shkrimtari e kishte lënë bash aty. “S’më bëjnë duart...”, - shkruante dhe poshtë nënshkrimi i tij. Por edhe një shkrim i shpejtë dore i skanuar, me sa duket: “Unë duhet të kem qenë ai që e poshtërova këtë njeri të madh!” Po, ndodh edhe kështu, madje edhe për shumë shkrimtarë të tjerë. Pasternaku i madh, autori i të famshmit “Doktor Zhivago” është poet, prozator dhe përkthyer i njohur rus, që u bë i famshëm me botimin e këtij romani, fillimisht i ndaluar në vendin e vet, i laureuar me çmimin “Nobel” dhe i përkthyer në kohë rekord në shumë gjuhë të botës.

Boris Leonidoviç Pasternak ka lindur në Moskë në vitin 1890, njëqind e njëzet vjet më parë, në familjen e një piktori të varfër dhe të një pianisteje jo shumë të njohur. Si të mos i mjaftonte gjimnazi ai ndoqi kurse për muzikë, por që e bindi veten se i mungonte talenti i muzikantit, ndaj dhe hoqi dorë, por ama vijoi gjithë jetën të këndonte brenda shpirtit të tij, madje duke belbëzuar një muzikë të pashpjegueshme që i buronte së brendshmi dhe kjo do të ishte gjithnjë objekt diskutimi midis krijuesve dhe psikologëve të ndryshëm që janë marrë me jetën dhe veprën e Pasternakut. Me sa duket, kjo heqje dorë nga muzika ndodhi sepse ai zbuloi brenda vetes dhuntinë e fuqishme për krijimtarinë poetike dhe kjo dihet se është po aq e fuqishme sa edhe muzika e madhe. Nisi të shkruante shumë herët poezi, të cilat i shkruante dhe ua lexonte vetëm të afërmve dhe shokëve, por ra menjëherë në sy shprehja në vargje e bukurisë së natyrës, e nuancave të stinëve të motit, që do të zinin vend parësor më vonë në krijimtarinë e tij të gjerë dhe cilësore poetike. Boris Pasternak, ky poet që po rritej si në ethe, e donte shumë natyrën, madje e kuptonte si rrallëkush hijeshinë e saj, e cila vetvetiu ia përpinte vargjet, po i bëhej edhe lajtmotiv që do të spikaste krijimtarisë e tij poetike. Ndoshta ky është shkaku që prindërit e regjistruan në Fakultetin Juridik të Universitetit të Moskës, por që djaloshi i çuditshëm dhe fjalëpakë, që rrinte si mënjanë duke medituar diçka, patjetër me dhunti të dukshme si poet i ardhshëm, e braktisi që në vitin e dytë dhe u regjistrua në Fakultetin e Filologjisë. Jo, nuk ndodhi që ta ndërpriste punën si poet, e për këtë duhej t’i falej zellit dhe talentit. Qysh në vitet e universitetit ai po skaliste krijimtarinë e frymëzuar e të veçantë poetike. Nuk mund të thuash se nuk e tërhiqte filozofia, por jo vetëm që e ndiente atë, pasi në zemrën e tij zjarrmonte poezia, në gjendje të dehur pranverore, ndërkaq që edhe filozofinë e studionte, sepse e ndihmonte që të gjente shpjegim dhe argumente për vlerësimet poetike. Veshja poetike e filozofisë është rroba më e bukur dhe më e çmuar e saj, kishte thënë Gandi i Indisë. Kush ia ka arritur kësaj, ndien një lumturi të madhe dhe fisnikërim të plotë të ndjenjave.

Boris Pasternaku gjithçka do ta lidhte me natyrën dhe forcën e saj shprehëse, por ai vinte që dukje që në rini se “është disi e vështirë për ta kuptuar gjuhën e natyrës. Atë nuk e kuptojnë gjithnjë mirë edhe ata që flasin vazhdimisht për të, madje as edhe ata që brohorasin për të, por natyrën mund ta kuptojë sidomos dhe vetëm ai të cilit ajo i flet dhe që arrin t’ia dëgjojë zërin, shprehjet, fjalët, pëshpërimat, të qeshurat, të qarat...” Dashuria për shprehjen e figurshme u bashkua në poezinë e tij, me dashurinë për përqendrimin e mendimeve dhe të ndjenjave në simbole poetike, që ngërthejnë përgjithësime të mëdha mendimi, që të gjitha të mbështetura në argumente, të qëmtuara krejtësisht nga natyra. Ky ishte dhe mbeti tipari dallues i poezisë së Pasternakut, i cili do të forcohej duke u ngritur cilësisht në krijimtarinë e mëvonshme të poetit, duke e bërë që të renditet përbri poetëve bashkëkohës me emër të madh: përbri Bllokut, Majakovskit, Eseninit, Cvetajevës.

Studimet universitare në Moskë Boris Pasternaku i mbylli në vitin 1913. Pas tyre iu desh të kryente një udhëtim në Itali dhe në disa vende të tjera, duke u kthyer së andejmi i mbushur me mbresa të fuqishme, plot me përjetime e galdim poetik, i vendosur më tepër se kurrë që t’i kushtonte jetën krijimtarisë poetike. Ndërkohë, atmosfera politike dhe sociale, por edhe ajo artistike, e viteve njëzet në Rusi ishte tejet e ndezur dhe gati shpërthyese. Revolucioni i Tetorit dhe Lufta Civile i tronditën nga themelet jo vetëm mënyrën e vjetër, tradicionale, të organizimit të jetës së përditshme, por, mbi të gjitha, hodhën farën e një jete të re mjaft të debatueshme. Edhe në radhët e inteligjencës ndodhi natyrshëm diferencimi, madje u dukën qëndrimet “pro” apo “kundër” ngjarjeve të tilla të mëdha e që ngjanin krejt të allasojta, ndonëse reklamoheshin të reja, sepse ajo që frynte ishte stuhi revolucioni e jo shaka. Mirëpo edhe intelektualët e fuqishëm nuk arritën dot ta kuptojnë si duhet këtë tajfun të paparë. Pasternaku vazhdonte të ishte simpatizues i rrymës letrare të futuristëve, të kryesuar nga Majakovski, që e shpallën poezinë e tyre si poezi të së ardhmes. Pasternaku, ndërkaq, u përfshi në vorbullën e debateve dhe të agjitacionit, dhe, ndofta për shkak të rrymës, mori në mbrojtje artin e ri. Ndërkaq, i qëndroi besnik kredos së vet poetike: konceptimit poetik të botës përmes konceptimit poetik të natyrës. Në vitin 1914 u takua me Majakovskin, përshtypja që i la poeti ekstravagant qe pataksëse. Adhurimi i Pasternakut për poetin aq origjinal nuk u shua gjatë gjithë jetës. Sa për qëndrimin dhe vlerësimin që i ka bërë Majakovski Pasternakut, mikut të tij të dashur, është bërë zakon që të jepet përmes kësaj figure: me Pasternakun, poeti i buçimshëm dhe si i vrazhdë në sjelljen me njerëzit, fliste kurdoherë me zë të butë, përkëdhelës, ashtu si fliste me gratë që i simpatizonte. E merrte në mbrojtje Pasternakun me pasionin e njeriut të dashuruar.

Ndërkohë, po fillonte Lufta e Parë Botërore. Pasternaku i shpëtoi rekrutimit në ushtri, iku në Urale dhe aty, në prehrin e natyrës, iu përkushtua tërësisht krijimtarisë poetike dhe përkthimeve. Botoi vëllimin poetik “Mbi barrierat” (1916), kurse emër të vërtetë prej poeti i dha vëllimi poetik, më i miri që krijoi, i titulluar “Motër, moj jetë” (1922). Ndërkaq, dukej se kataklizmi kishte kaluar, ndonëse luftohej ende në të gjithë hapësirën ruse kundër njëri-tjetrit, duke e bërë vendin të lëngonte gjatë dhe të derdhte shumë gjak. Mënyra origjinale e komunikimit të poetit me njerëzit përmes perceptimit të natyrës dhe simbolikës së goditur, të bazuar në poetizimin e dukurive të saj, u konsiderua një gjetje origjinale, kurse realizimi artistik u konsiderua arritje e poezisë ruse në përgjithësi. Poeti dukej i ndikuar nga poezia futuriste, një poezi e abstraguar dhe me një figuracion si të çuditshëm, por poeti me një forcë të çuditshme i jepte frymë dhe shpirt të gjallë me një lartësim të goditur romantik, me anë të rikrijimit të tablove të natyrës. Shkëputjet lirike dhe meditimet filozofike përbëjnë një tjetër veçori e poezive të Pasternakut. Ato nuk kanë subjekt dhe janë thjesht tablo të natyrës, akuarele dhe peizazhe, që flasin përmes simboleve, madje jo rrallë edhe si një natyrë e personifikuar që me elegancë pëshpërit zëëmbël e duke kënduar plot magji dhe origjinalitet të theksuar e forcë përgjithësuese. Pasternaku poet është i veçantë pasi ndryshimet dhe përjetimet e thella të njeriut i percepton dhe i transmeton përmes dukurive natyrore.

Por edhe një veçori tjetër që e bën poetin me emër, gjithnjë brenda simbiozës me natyrën: koha e zhvillimit të ngjarjeve konceptohet e pafund! Dhe ky është një origjinalitet pataksës, që i shtohet begatisë së figuracionit poetik, simbolikës domethënëse, harmonisë së brendshme e konstatimeve të holla poetike me një muzikalitet të mrekullueshëm në varg. Çfarë ndjesie! Para nesh lartësohet figura e poetit që qëndis hollë dhe me ndjenjë të çuditshme njeridashjeje. “Bota e gjallë dhe e vërtetë është e vetmja pjellë e imagjinatës sime, ajo arrihet një herë dhe mandej përsëritet pafundësisht përmes trajtash të reja”, - ka thënë Pasternaku. Dhe kjo ka mbetur si një thënie monumentale. Revista franceze këtë postulat e kishte zgjedhur në krye të shkrimit dhe fotografive të Pasternakut dhe të veprave të tij.

Revolucionin e vitit 1917 Pasternaku e priti me mëdyshje dhe rezerva, ndryshe nga miku i tij futurist, Majakovski, që shpalli se përpara tij nuk qëndron pyetja ta pranonte apo jo Revolucionin. “Shkova në Smolni (vendi i shtabit të Revolucionit të 1917) dhe u mora me ç’munda”, – ka thënë Majakovski. Gjatë viteve ‘20 në poezinë e Pasternakut vjen e bëhet më e dukshme prirja e bashkëbisedimit me veten, e arsyetimit të gjërave me sozinë e tij poetike, sepse kështu mund të debatonte më lirshëm për problemet e mëdha të fateve të atdheut në këtë kohë të acartë. Kjo dukuri i jep tingull tjetër krijimtarisë poetike të Pasternakut. Ilia Erenburgu, shkrimtar dhe mik i ngushtë i Pasternakut, ka thënë: “Çdo poet, edhe i madh qoftë, ka jo vetëm tavan, por ka dhe mure, shoqëria gjendet kurdoherë jashtë mureve të tij. Sidomos kjo e theksuar është te Pasternaku”. Ta shohësh dhe ta rikrijosh poetikisht jetën përmes vetes, është thjesht lirizëm, një botë e perceptuar përmes mendjes dhe zemrës së poetit. Te Pasternaku kjo veti e lirikës u arrit si shprehje absolute, aq sa bota shpirtërore e të tjerëve gjeti shprehje në poezinë e tij dhe kjo gjithnjë përcillej si ndjesi vetjake. Ky është një lirizëm befasues që shprehet në poezinë e tij me plotfuqishmëri të thadruar.

Në fillim të viteve ‘30, Pasternaku bashkëpunoi me forcat e krijuesve sovjetikë, duke filluar nga Maksim Gorki me shokë. Vërtet që bashkëpunoi, madje edhe e përshëndeti Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve Sovjetikë, por asnjëherë nuk hoqi dorë nga pozicioni i krijuesit të pavarur, gjë që binte në kundërshtim me pushtetin komunist. Vetëkuptohet që ndryshoi edhe qëndrimi zyrtar ndaj Pasternakut. “Gjithçka brenda meje zuri të thyhej, kurse të ecurit në një hap me kohën ia la vendin rezistencës ndaj kohës, - ka thënë Pasternak. - Dhe unë këtë nuk e kam fshehur. U zhyta i tëri në përkthime. Krijimtaria origjinale mori fund. M’u zgjua vetëm me fillimin e luftës në vitin 1941”. Përkthimet e Pasternakut fituan emër të madh dhe famë të paparashikuar, jo vetëm si burim të ardhurash, por edhe si mbështetje e fuqishme morale, madje ato u bënë ngadhënjim i talentit të tij të madh. Përktheu më tepër Shekspirin dhe Gëten, duke mos qenë thjesht përkthime, por rikrijime të arrira artistike! Bie në sy më shumë “Fausti” i Gëtes.

Pas fitores mbi fashizmin Pasternakut iu gjallëruan shpresat për një përtëritje të shumanshme të vendit, duke dashur jo vetëm vendosjen e drejtësisë sociale (që nuk u përmbush kurrë në epokën sovjetike!), por edhe rritjen e frymës demokratike. Përndjekjet që nisën pas vitit 1946 i krijuan një gjendje depresioni psikik, madje po i shpifej frika e përndjekjes, duke pritur që ta arrestonin nga çasti në çast. Kësaj kohe iu vu punës për të shkruar “Doktor Zhivagon”, një vepër që do të arrinte përmasa të mëdha dhe një natyrë të madhe epike, duke treguar me realizëm fatin e inteligjencës ruse në kohën e Revolucionit dhe të Luftës Civile, e shoqëruar me një brendi të hatashme humaniste, porse patosi i shkrimtarit nuk përputhej dot me politikën e kohës për një letërsi militante pro socialiste. E shkroi gjatë dhjetë vjetëve, por asgjë nuk botoi. Vazhdoi të këmbëngulte me pasion e fuqi të madhe me përkthimet. Korrigjimet dhe redaktimin e fundit të “Doktor Zhivagos” i përfundoi në vitin 1955 dhe në vitin 1956 e dha dorëshkrimin për ta botuar në revistën “Novij mir” (“Bota e re”), ku ishte redaktor shkrimtari Kostandin Simonov. Nisi kështu odiseja e bujshme e “Doktor Zhivagos”. E para ishte përgjigjja e redaksisë së revistës që ia ktheu dorëshkrimin si të pabotueshëm, pasi “vepra kishte një përfytyrim të shtrembër të revolucionit dhe të vendit të inteligjencës në të”, pastaj të tjerat me radhë. Atëherë Pasternaku ia dha dorëshkrimin një gazetari italian, që ta botonte jashtë shtetit. Romani u përkthye në kohë rekord, u botua fillimisht në italisht, pastaj në gjermanisht dhe në rusisht në Gjermaninë Perëndimore. Në vitin 1958, Boris Pasternakut iu dha çmimi “Nobel” me motivacionin: “Për arritje në fushën e poezisë së sotme dhe për vijimësinë e traditave fisnike të prozës së madhe ruse”. Është pak të thuash se plasi një skandal i përmasave të paimagjinueshme. Pasternaku në fillim u ndie në qiellin e shtatë, e priti mirë vlerësimin, i falënderoi ata që ia dhanë dhe për nderin që iu bë, por një javë më vonë, i ndodhur nën zjarrin e mallkimeve dhe të sharjeve pa fund dhe sidomos pas kërcënimit të heqjes së nënshtetësisë dhe të dëbimit nga atdheu, u detyrua që të mos e pranonte çmimin “Nobel”. Ndërkohë, në botën perëndimore e ndiqte lavdia. I dërrmuar, në moshën 70 vjeç, Pasternaku kaloi në zgripin e një alarmi të malultë, sidomos e shqetësonte mendimi për fatin e njerëzve të afërt. I mbytur në dëshpërim, vdiq më 30 maj 1960. Në atdheun e shkrimtarit, romani “Doktor Zhivago” u botua pas 30 vjetëve, kurse filmi me të njëjtin titull e bëri romanin edhe më të njohur, edhe më të dashur për miliona shikues në të gjithë botën.

Romani “Doktor Zhivago” është, pa dyshim, një ngjarje e madhe në letërsinë botërore të shekullit XX. “Gëzimi e mposht frikën e vdekjes”. Kështu e ka formuluar autori nëntekstin e titullit të këtij romani. Domethënë bëhet fjalë për gëzimin që i vjen njeriut nga puna krijuese. Personazhi qendror, Juri Zhivago, është një botë më vete, i cili revolucionin e koncepton si një shtjellë të fuqishme stuhie, që i vërvit njerëzit ku të mundet, madje i katandis në mëshirën e fatit. Tragjedia e madhe ruse, e popullit rus, është motivi numër një që e përshkon krejt veprën, nën pataksjen e gjakderdhjes dhe të mizorive të llahtarshme, me plot skena të paharruara të vuajtjes njerëzore. Zhivago është mjek, por dhe poet, që na jep të kuptojmë se pas personazhit kryesor fshihet vetë autori, kështu që në poezitë që shkruan, spikat shpresa se atdheu do të spërndritet dhe do të lulëzojë liria; pas përmbysjes, do të vijë jeta e re. Romani është i mbushur me frymëmarrje të gjerë epike, duke spikatur disa linja subjekti, që nga përshkrimi i njerëzve që pandehnin se ishin zotë të situatës, njerëz vrisnin e prisnin kundërshtarët, fundi tragjik i mjaft personazheve, njerëz me fat e njerëz të pashpresë. Ky roman shpreh dukjen heroike, por me thelb tragjik të mjaft personazheve, sepse shpejt bien viktima të lojës politike që luajnë krerët e lartë të revolucionit, duke i nxjerrë shpesh të panevojshëm.

Faqet e romanit shoqërohen nga gjakderdhja, mizoria e dhuna e papërligjur, madje dhuna ndjell dhunën dhe rregullimi i gjendjes mbi bazën e drejtësisë sociale rezulton faktikisht i pamundur. Tragjedia e madhe flet vetëm për triumf të mosarsyes. Por Pasternaku nuk mbetet rob i kësaj gjendjeje. Në romanin “Doktor Zhivago” ngre krye dashuria e madhe për tjetrin, madje edhe mëshira për të vuajturin dhe besimi se humanizmi do të bëjë ligjin. Romani freskohet vijimisht në skena intime, ku dashuria ndihet zonjë. Këto janë jo vetëm skena reale, por edhe të përjetuara thellë dhe prandaj jepen dhe perceptohen si mjaft bindëse. Besnikëria e tij ndaj natyrës, ndaj jetës objektive, duke ruajtur me një fije krenarie edhe marrëdhëniet njerëzore, të cilat përcaktojnë ecuritë e ngjarjeve, sjellin në roman jo vetëm përshkrime të natyrës, por edhe gjendje psikologjike tensionuese, zhbiruese dhe të natyrshme, njohëse dhe me një fuqi njerëzore që tingëllon plot dashuri. Romani “Doktor Zhivago” ka fituar kështu një lirizëm hamgjitës, shumë ngrohtësi jete dhe marrëdhënie që rrallë se i gjen tjetër kund. Nënteksti humanist është vizllues: autori beson shumë dhe kjo duket qartë në roman, tek ngadhënjimi përfundimtar i shpirtit njerëzor të paepur.

Pasternaku është mjeshtër i madh i përshkrimit të natyrës. Përshkrimet e bukurisë së dëborës që nuk ka fund, të pyllit në lulëzim, të ndryshimeve që ndodhin në natyrë me ndërrimin e stinëve, bukuria e pashoqe që rrezaton natyra e që nuk e përligj dhunën, qëndresa që i bën së keqes, sepse është natyra ajo që u jep mësim njerëzve që të dinë të zgjedhin të mirën dhe ta largojnë të keqen. A nuk është dhuna ajo e prish natyrën, që ia përdhos bukurinë dhe freskinë, që ia largon dhe shfytyron harmoninë, që e zhvesh natyrën nga stolitë për të cilat rreket zemra e njeriut? Në prozën dhe në poezinë (por edhe në përkthimet e tij të famshme) tregohet njësimi i njeriut me natyrën, si kusht për sigurimin e vazhdimësisë së jetës. Pasternaku ka mbetur në letërsinë botërore, veç të tjerash, edhe si shkrimtar i natyrës dhe i lidhjeve të saj të fuqishme me shpirtin e pavdekshëm të njeriut dhe veçanërisht të njeriut të madh. Si përfundim shkrimtari, por edhe lexuesi i tij, nuk duhet që ta humbasin besimin te jeta me ligjet e saj të drejta. Dhe mos harroni për asnjë çast se mbiemri i personazhit kryesor të romanit “Doktor Zhivago”, Zhivago, përmban si rrënjë fjalën “zhivoj” që do të thotë “i gjallë”, kështu që jeta mbetet gjallë! Kjo është një domethënie e fuqishme, madje që shpalos me nënkuptim artistik madhështinë e kalibruar të Boris Pasternakut. 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›