E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtorët e shkollave zgjidhen nga prindërit

Projektligji i ri i arsimit parauniversitar parashikon qe drejtoret e shkollave emerohen nga drejtoret e drejtorive apo zyrave arsimore ndermjet dy kandidateve te propozuar nga grupet e interesit

Drejtorët e shkollave do të emërohen nga drejtoritë arsimore, por vetëm ndërmjet dy kandidaturave të propozuara nga mësuesit, prindërit, nxënësit dhe anëtarë të komunitetit lokal, ndërkohë që mund të pushohen nga puna vetëm nëse plotësohen disa kritere qartësisht të matshme. Këto risi janë përfshirë në projektligjin e ri të arsimit parauniversitar, të bërë publik ditët e fundit nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës.

Në këtë projektligj përcaktohet gjithashtu se ministria është e detyruar të ofrojë mësimin e gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare te bashkëkombasit shqiptarë jashtë atdheut, ku nuk ka kufizime shtetësie, çka do të thotë se përmblidhen shqiptarët si të diasporës së vjetër, ashtu edhe të diasporës së re, pra emigrantët, qofshin këta me origjinë nga Shqipëria apo nga shtetet kufitare.

Emërimi dhe shkarkimi i drejtorëve

Risia kryesore ka të bëjë me emërimin dhe shkarkimin e drejtorëve, e cila nuk i lihet më në dorë vendimit arbitrar dhe subjektiv të drejtorëve të drejtorive apo zyrave arsimore rajonale, që prej vitit 1990 shpeshherë është karakterizuar nga afërsi personale apo politike. Ligji i ri ua lë në dorë këtë atribut grupeve të interesit në shkolla dhe në kopshte, të cilët propozojnë kandidatët.

“Drejtori i institucionit arsimor publik përzgjidhet me konkurrim të hapur dhe ka mandat pesëvjeçar të përsëritshëm. Ai emërohet nga drejtori i njësisë arsimore vendore përkatëse pas propozimit të dy kandidatëve të përzgjedhur nga një komision i përbërë nga përfaqësues të grupeve të interesit. Kriteret për drejtor, procedurat e përzgjedhjes dhe të emërimit si dhe përbërja e komisionit përcaktohen nga ministri me akte nënligjore”, – përcakton projektligji i ri.

Ndërkaq, pushimi nga puna i drejtorit të shkollës bëhet nga drejtori i zyrës apo drejtorisë arsimore vetëm në tri raste, kur duket se drejtori, ose nuk ka kryer punën e tij, ose nuk ka pëlqimin e prindërve dhe të nxënësve. Kështu, sipas projektligjit, “drejtuesi i njësisë arsimore vendore përkatëse shqyrton mundësinë e lirimit të drejtorit të shkollës publike nga detyra kur: nga pyetësorët e vlerësimit me nxënësit ose prindërit del se ka nivel të lartë të pakënaqësisë nga gjendja në shkollë; arritjet e nxënësve në provimet e arsimit bazë ose të maturës shtetërore për dy vite të njëpasnjëshme janë në 10% e fundit në renditjen e shkollave në nivel kombëtar;” ose kur “nuk janë përmbushur objektivat e planit vjetor të shkollës për dy vite të njëpasnjëshme”.

Mësim për shqiptarët jashtë atdheut

Ky projektligj ka ecur edhe një hap më tutje për sa i përket arsimimit të shqiptarëve jashtë atdheut. Në një kohë kur duket se Ministria e Arsimit dhe e Shkencës nuk përballon dot financimin as të librave të shtetasve shqiptarë jashtë vendit, pra emigrantëve, projektligji e ngarkon ministrinë me detyrën që të ofrojë mësimin e gjuhës tek e gjithë diaspora shqiptare, pavarësisht nëse kanë nënshtetësinë. Kjo do të thotë se ky detyrim shtrihet që nga diasporat e hershme, arbëreshët, arvanitasit, shqiptarët e Ukrainës, SHBA-ve etj., te shqiptarët e vendeve fqinje dhe te emigrantët kudo në botë, pavarësisht nëse janë nga Shqipëria, Kosova, Serbia, Maqedonia apo Greqia.

“Në bashkëpunim me përfaqësitë e Republikës së Shqipërisë jashtë vendit dhe struktura të tjera shtetërore, ministria, në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare dhe legjislacionin shqiptar, organizon dhe mbështet zbatimin e programeve të posaçme për mësimin e gjuhës shqipe dhe njohjen e trashëgimisë kulturore shqiptare për personat me kombësi shqiptare që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Programet për fëmijët shqiptarë jashtë vendit rregullohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, – është formulimi i projektligjit të ri ku është përcaktuar se detyrimi i shtetit është për personat me “kombësi shqiptare”, pa vendosur kufizim shtetësie.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›