Lirohet Fisheku, asnjë në qeli për naftën virxhin
Gjykata e Tiranës ka liruar Iljaz Fishekun, pas raportit të Mjekësisë Ligjore që vinte në dukje rrezikun që i kanosej nga ambientet e burgut. Lirohen edhe dy ish-zyrtarët
Tiranë Gjykata e Tiranës liron edhe Iljaz Fishekun, biznesmeni i fundit i naftës që kishte mbetur në qeli nga dosja e kontrabandës së naftës virxhin. Vendimi u dha dje nga gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Blerina Muça, pas kërkesës së palës mbrojtëse për revokim të masës së sigurisë për arsye shëndetësore. Ndryshimi i masës së sigurisë për Fishekun erdhi pas një raporti të Mjekësisë Ligjore, ku thuhej se jeta e Iljaz Fishekut rrezikohej, nëse ai do të vazhdonte të qëndronte në masën e arrestit me burg. Pas këtij akt ekspertimi, gjyqtarja vendosi lirimin e tij, pas qëndrimit për më shumë se 5 muaj në dhomat e paraburgimit Fishekut i ishte dhënë masa e arrestit me burg, ndërsa pas vendimit të djeshëm ai do të hetohet në gjendje të lirë. Prokuroria regjistroi procedimin penal ndaj Iljaz Fishekut për veprën penale të ‘mashtrimit’ dhe ‘pastrimit të produkteve të naftës’ në tetor të vitit të shkuar. Së bashku me të u arrestuan edhe djali e vëllai i tij si dhe biznesmeni tjetër i naftës, Hajri Elezaj. Kjo pas deklarimeve të ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, në Prokurori, sipas të cilit nënprodukti i naftës i quajtur ‘virxhin”, për periudhën 2007-2009, është pasqyruar në dokumentacion si e eksportuar jashtë vendit, por në fakt ajo është shitur në tregun e brendshëm, edhe pse një gjë e tillë është e ndaluar me ligj të posaçëm. Brenda vendit ajo është shitur në tregun e pakicës, pas përzierjes me benzinën. Në mars të këtij viti Task- Forca në Prokurorinë e Tiranës firmosi urdhër-arrestet për 11 personat e implikuar në këtë linjë të kontrabandës me naftën virxhin. Përgjatë këtyre muajve gjykata ka liruar të gjithë biznesmenët dhe shoferët e kësaj çështjeje. Ndërkohë, dy ditë më parë janë liruar edhe dy ish-zyrtarët e doganave dhe tatimeve, të cilët i janë drejtuar gjykatës, pasi u është komunikuar akuza. Ata janë lënë në arrest shtëpie, njëri nga Gjykata e Apelit dhe tjetri nga ajo e Tiranës.