E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrjet certifikatash false në Gjendjen Civile, vidhnin emrat e emigrantëve

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 23-07-2011 12:22

Tiranë Dy punonjëse të gjendjes civile, dy kosovarë dhe dy ushtarakë të repartit të Forcave Tokësore Zall – Herr janë arrestuar dje si bashkëpunëtorë të një grupi që akuzohen për falsifikim të certifikatave dhe dokumenteve të tjera zyrtare. Denoncimet e shpeshta të qytetarëve, të cilët konstatonin vjedhje të identitetit për të nxjerrë certifikata apo pasaporta të manipuluara, kanë vënë në lëvizje Policinë e Tiranës, e cila prej disa muajsh ka nisur një hetim për identifikimin e personave përgjegjës për këto falsifikime dhe zbulimin e rrjetit të falsifikatorëve. Pas një pune disamujore hetimore, sektori Kundër Krimit Ekonomik Financiar ka finalizuar dy net më parë hetimin e nisur, duke arrestuar 6 persona si përgjegjës për këto falsifikime. Afërdita Sukniqi, 41- vjeçarja e cila punonte prej vitesh në njësinë bashkiake Nr.7 dhe Diana Rexha, 41-vjeçarja sanitare e kësaj minibashkie, janë arrestuar si pjesë e këtij rrjeti, që bënin të mundur falsifikimin e certifikatave. Katër të arrestuarit e tjerë, pjesë e këtij rrjeti, janë mësuesi nga Gjakova, Luz Bisaku dhe patrioti i tij Vilson Nikolla, shoferi i repartit të Zall Herrit, Ylvi Shkalla dhe Saimir Trota, punonjës në këtë repart. “Në periudha në ndryshme kohore, këta shtetas kanë falsifikuar një sërë dokumentesh zyrtare, si leje drejtimi kombëtare e ndërkombëtare dhe një sërë dokumentesh të tjera zyrtare” – thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.

Burime nga grupi hetimor thanë për MAPO-n se pas marrjes së denoncimeve të qytetarëve, të cilët nuk arrinin dot të merrnin pasaporta, pasi në sistem figuronte se ata e kishin tërhequr atë, blutë e kryeqytetit nisën menjëherë hetimet për të zbuluar këtë rrjet falsifikimi. Pas muajve të tërë hetimi, ekspertët e Sektorit Kundër Krimit Ekonomik Financiar arritën të identifikonin personat përgjegjës për këto falsifikime. Pak ditë më parë, pranë Parkut Rinia u ndaluan dy shtetasit kosovarë Bisaku dhe Nikolla, të cilët pas disa verifikimesh në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë, u lanë sërish të lirë, por këtë herë për t’u ndjekur nga efektivët e policisë, me shpresën se do t’i çonin te pjesa tjetër e grupit. Dhe duket se ishte ky veprim që çoi më pas në identifikimin e të gjithë pjesëtarëve të grupit. Kanë qenë pikërisht dy shtetasit kosovarë që janë takuar me bashkëpunëtorët e tjerë dhe vetëm pak ditë më pas është bërë i mundur arrestimi i të gjithë grupit.

Sipas burimeve konfidenciale mësohet se anëtarët e këtij rrjeti verifikonin në sistemin e Gjendjes Civile persona të cilët prej kohësh jetonin në emigracion. Kundrejt shumave të konsiderueshme, dy punonjëset e gjendjes civile bënin të mundur lëshimin e certifikatave në emrat e emigrantëve për personat e interesuar, të cilët më pas me anë të këtyre certifikatave pajiseshin me karta identiteti dhe me pasaporta biometrike, të cilët në ishin të rregullta dhe nuk kishin asnjë problem gjatë kalimit në pikat e kalimit kufitar. Në bazë të hetimeve të kryera deri më tani, mësohet se Bisaku, Nikolli, Shkalla dhe Trota gjenin personat e interesuar për t’u pajisur me certifikata me identitet tjetër dhe i dërgonin ata në Zyrat e Gjendjen Civile 7, ku Rexha dhe Sukniqi kryenin të gjitha procedurat e nevojshme për pajisjen e tyre me mjete identifikimi.

Nga ana e saj, Policia e Tiranës është duke vijuar punën për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në linja të ngjashme falsifikimi, pasi rezulton një numër i madh qytetarësh të cilët kanë denoncuar se u është vjedhur identiteti dhe se nuk mund të aplikonin për pasaporta biometrike, pasi rezultonte se ajo ishte tërhequr.

Të arrestuarit

Afërdita Sukniqi, 41 vjeç, punonjëse e Njësisë Bashkiake Nr.7, Tiranë

Diana Rexha, 41 vjeç, sanitare në Njësinë Bashkiake Nr.7, Tiranë

Luz Bisaku, 36 vjeç, lindur në Gjakovë dhe banues në Fierzë

Ylvi Shkalla, 29 vjeç, me punë shofer në Rep.Ushtarak nr.1060, Zall Herr

Vilson Nikolla, 41 vjeç, lindur në Gjakovë dhe banues në Marmull, komuna Gjakovë, Kosovë

Saimir Trota, 26 vjeç, me detyrë në Repartin e Forcave Tokësore Zall – Herr

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›