E Diel, 1 Nëntor 2026

Prifti: Videoja me Beqirin nuk ka asnjë vlerë

Ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, i kundërpërgjigjet Metës: Ai nuk kupton as veprimet e avokatëve të tij

Tiranë Pak orë pas deklaratës së ish-zv.kryeministrit Ilir Meta, që akuzoi prokurorinë se tërhoqi provën më të rëndësishme, duke marrë në mbrojtje ish-ministrin Prifti, ka reaguar ky i fundit duke thënë se Prokuroria zbatoi vendimin e Gjykatës. “Dëgjova deklaratën e Metës pas vendimit të Gjykatës së Lartë. Nuk jam njohur me vendimin e plotë, por nga fjalët e zotit Meta dua të sqaroj dhe vërtetohet edhe njëherë se zoti Meta nuk kupton as veprimet e avokatëve të tij”,- shprehet në deklaratën e tij ish-ministri Prifti. “Meta fatkeqësisht nuk kupton që gjykata ka zbatuar kërkesën që vetë Meta bëri për pavlefshmëri të videos, pra zbatoi atë që vendosi në seancën e mëparshme, pavlefshmëri të akteve të ekspertimit që Meta vetë i kërkoi”- thuhet në deklaratë. Duke folur për kërkesën e prokurorisë, bërë në seancën e djeshme, Prifti deklaron se “prokuroria zbatoi vendimin e gjykatës për pavlefshmërinë e ekspertimit që rrëzoi provën video mes Priftit dhe Beqirit dhe tashmë kjo video s’ka më asnjë vlerë për gjyqin e Metës”. Duke u ndalur te video që i kushtoi atij imunitetin dhe një periudhë të gjatë hetimi në Prokurorinë e Përgjithshme, ish-ministri i Ekonomisë deklaron se tashmë kjo video nuk ka asnjë vlerë. “Video është një filmim privat në shtëpi, që nuk ka lidhje me detyrën time dhe të z.Beqiri. Por, kjo video kërkohet nga Meta për shantazh mbi mua. E këshilloj Metën që betejën mos ta zhvillojë me mua, se e ka të humbur. Meta betejën e ka me drejtësinë”,- thuhet në deklaratën e Dritan Priftit, i cili shton se dëshmia e tij është korrekte, e vërtetë, qytetare dhe pa asnjë tendencë politike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›