E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirohet bosi i "Kështjella", u kap me 40 kile heroinë

 

Armand Bajrami

Gjykata e Lartë liron nga paraburgimi biznesmenin fierak të akuzuar për trafikun e 40 kilogramëve heroinë. Kolegji Penal i kësaj gjykatë prishi dje vendimin e dhënë nga dy shkallët e para të gjyqësorit për masën e sigurisë "arrest me burg" ndaj Zaim Tafës, 45 vjeç nga Fieri. Verdikti i Kolegjit të Lartë Penal ndaj Tafës, i arrestuar nga operacioni policor "Kështjella", liroi të akuzuarin nga dhomat e paraburgimit, prej ku qëndronte që pas dhënies së "arrestit me burg" Krimet e Rënda. Pasi është njohur me pretendimet e palëve, gjykata ka vlerësuar si jo të drejtë pretendimin e organit të akuzës për vazhdimin e mbajtjes së Tafës në paraburgim. Biznesmeni Tafa u prangos në ditët e para të majit të këtij viti. Sipas prokurorisë, ai ishte pjesë përbërëse e një rrjeti të trafikut të lëndëve narkotike nga Shqipëria në Greqi, që më pas kishte për destinacion Italinë dhe Gjermaninë. Në operacionin që ndaloi Tafën, u ndaluan në total pesë persona dy prej të cilëve shqiptarë dhe tre të tjerët shtetas gjermanë. 
KOLEGJI PENAL
Vendimi që i "dhuroi" lirinë të pandehurit Tafa u shpall ditën e djeshme rreth orëve të mesditës. Burime pranë Gjykatës së Lartë bënë të ditur se vendimi i togave të zeza të kësaj gjykate, për të pandehurin Tafa, është dhënë i paarsyetuar. Mësohet se nga ana e Prokurorisë është pretenduar lënia e të pandehurit në masën e sigurisë "arrest me burg". Sipas organit të akuzës, ky institucion zotëronte përgjime telefonike si edhe regjistrime filmike që vërtetonin pjesëmarrjen e Tafës në trafikun e narkotikëve. Ndërsa nga ana e mbrojtësit të të pandehurit është pretenduar se klienti i tij nuk kishte njohje me shtetasit gjermanë, të bashkëpandehur në të njëjtën çështje. Pasi është njohur me pretendimet e të dyja palëve në proces, Kolegji Penal i kryesuar nga gjyqtari Gani Dizdari ka vendosur shuarjen e masës së sigurisë "arrest me burg" ndaj Zaim Tafës.
"KËSHTJELLA"
Në kodin "Kështjella", policia arrestoi nm 2 maj të këtij viti Zaim Tafën, pronarin e kompleksit "Kështjella" në aksin rrugor Fier-Patos, Albert Pëllumbin nga Fieri dhe tre shtetasit gjermanë Daniel Englert dhe Franz e Regina Kiacsek. Gjatë operacionit u sekuestrua një sasi prej 40 kilogramësh lëndë narkotike heroinë, që arrinte një vlerë prej 500 mijë eurosh. Sipas organit të akuzës, lënda narkotike ishte futur në territorin shqiptar nga Maqedonia. Po sipas Prokurorisë, futja e sasisë narkotike në vendin tonë ishte realizuar nga dy të arrestuarit nga Fieri.
Në vijim dyshohet se ajo i është dorëzuar dy të akuzuarve nga prokuroria si "korrierë", çiftit Kiacsek. Çifti gjerman u arrestua nga policia, teksa po tentonin të kalonin në Doganën e Kapshticës, ndërsa kishin lëndën narkotike në automjetin e tyre. Dyshohej se sasia narkotike do të kalonte në shtetin grek dhe më pas në atë italian dhe gjerman.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›