E Diel, 1 Nëntor 2026

Skizofreni, 5 vjet në burg pa u dënuar

 

TIRANE - I sëmuri mendor mbahet i padënuar në burgun e Shën Kollit në Lezhë për 4 vjet e 5 muaj. Sikur të mos mjaftonte kjo, ai qëndron në kushte degraduese dhe të papërshtatshme për sëmundjen e tij. Rasti i cilësuar "një rast flagrant i mosveprimit të organeve shtetërore dhe trajtimit poshtërues e degradues ndaj një të burgosuri të sëmurë mendor" është denoncuar nga Avokati i Popullit Ermir Dobjani. Në një rekomandim të bërë pak ditë më parë, Dobjani denoncon ashpër trajtimin që po i bëhet shtetasit P. Gjelaj në burgun e Shën Kollit. Bëhet e ditur se Gjelaj është një i sëmurë mendor, i lënë në masën e sigurisë "arrest me burg" për akuzën e "vrasjes" dhe të "armëmbajtjes pa leje". Rekomandimi i drejtohet Ministrisë të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, kreut të KLD-së, Kreshnik Spahiu, Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Gazmend Dibra dhe Drejtorit të Qendrës Spitalore të Burgut, Ylber Vata.
Dobjani u kërkon atyre marrjen e masave të menjëhershme për trajtimin ligjor të të sëmurit mendor që mbahet padrejtësisht dhe në kushte të papërshtatshme në burgun e Shënkollit dhe transferimin e tij në Qendrën Spitalore të Burgjeve. Gjithashtu Avokati kërkonte nxjerrjen e përgjegjësive disiplinore apo penale të institucioneve për neglizhencën në lidhje me këtë rast. Ajo që ka alarmuar inspektorët e Avokatit të Popullit kanë qenë kushtet e ambientit, ku kanë gjetur të paraburgosurin e sëmurë dhe fakti që ai qëndronte prej më se 5 vjetësh i pa dënuar. Sipas rekomandimit të AP-së, "P. Gjelaj mbahej në ambientet e veçimit në gjendje të rëndë të shëndetit mendor, në kushte higjienike degraduese dhe i padënuar që nga gushti i vitit 2004". Gjelaj ishte arrestuar në këtë vit, ndërsa masa e sigurisë "arrest me burg", e caktuar në mungesë në vitin 2003, ishte ekzekutuar në vitin 2004, pas arrestimit të tij. Avokati i Popullit pohonte se gjatë periudhës që Gjelaj ka qëndruar në paraburgim nga gjykata janë dhënë dy vendime të ndërmjetme për kryerjen e ekspertizës së tij mjeko-ligjore. "Sipas dokumenteve të administruara nga dosja rezulton që ky person është lënë totalisht jashtë trajtimit ligjor institucional dhe në kushte degraduese dhe të papërshtatshme për sëmundjen e tij" citohej në raportin e AP-së për këtë rast.                   ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›