E Diel, 1 Nëntor 2026

Lirohet këshilltari i Bukoshit, ofroi 50 mijë euro garanci

Gjykata e Prishtinës vendosi të lirojë nga paraburgimi shtetasin Ilir Tolaj, këshilltarin e ministrit të Drejtësisë, Bujar Bukoshi kundrejt garancisë pasurore prej 50 mijë euro si dhe bllokimit të pasaportave për të mos u larguar jashtë Kosovës. Gjykata e Prishtinës,

deklaroi se i ka konfiskuar këshilltarit të Ministrit të Shëndetësisë, pasaportën e UNMIK dhe pasaportën britanike që ai kishte në zotërim. Po kështu gjykata bëri të ditur se ndjekja penale ndaj zyrtarit do të vazhdojë në gjendje të lirë me hetimin e shpërdorimeve për të cilat ai është akuzuar. Avokati i zyrtarit të akuzuar për shmangie nga tatimet, Bajram Tmava e cilësoi arrestimin e klientit të tij, të motivuar politikisht. Në vitin 2008, Ilir Tolaj është shkarkuar nga posti i Sekretarit të përhershëm nga ish-ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi, ndërsa u emërua këshilltar nga ministri i tanishëm.

Thaçi: Kemi nisur hartimin e ligjit anti-mafia
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se është nisur puna hartimin e ligjit anti-mafia. Sipas Thaçit ky ligj nënkupton parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar si dhe personave të cilët janë të përfshirë në afera kriminale dhe korruptive. Ky është vetëm një propozim ndërkohë që shumë shpejt ky projektligj, sipas zëdhënësit të Qeverisë, Memli Krasniqi do të filloi të hartohet dhe të kalojë nëpër procedurat e nevojshme. Gjatë mbledhjes së Qeverisë, Thaci, shprehu edhe një herë përkushtimin e tij për luftë kundër korrupsionit. Ndërkohë, Bujar Bukoshi, duke folur për arrestimin e këshilltarit të tij, u ka bërë thirrje kolegeve ministra të paguajnë tatimet, në mënyrë që të mos e kanë fatin e njëjtë më të vartësit të tij, Ilir Tolaj.

Jo maqedonisht për fëmijët shqiptarë në Maqedoni
Gjykata Kushtetuese në Maqedoni rrëzoi vendimin e Ministrisë së Arsimit për mësimin e maqedonishtes, nga klasa e parë për fëmijët shqiptarë. Agjencitë e lajmeve maqedonase bëjnë të ditur se sipas Kushtetueses, me vendimin e MASH janë shkelur dispozita ligjore. Abrogimi i vendimit të miratuar kohë më parë ka ndodhur për shkak se në Ligjin për arsim fillor është paraparë që bashkësitë jo shumicë, gjuhën maqedonase ta mësojnë nga klasa e katërt, konstatuan gjykatësit e kushtetueses. Ata thonë se me këtë vendim ministri i Arsimit, Nikolla Todorov është përzier në punët e pushtetit gjyqësor. Sipas tyre, urdhri i tij është diskriminues, pasi detyron nxënësit shqiptarë të mësojnë më shumë gjuhë se sa ata maqedonas. Vendimi për mësimin e maqedonishtes kishte për bazë një projekt të OSBE, por pas reagimeve në opinion, komisioneri i lartë për pakicat, Knut Volebek përmes një letre, kërkoi shtyrjen e këtij vendimi, i cili përveç mësimit të maqedonishtes nga klasa e parë për fëmijët shqiptarë, parashikonte edhe mësimin e shqipes në mënyrë fakultative nga fëmijë maqedonas në zonat ku shumicë janë shqiptarët.

Haga kërkon burg përjetë për Gjeorgjeviç
Prokurorët e gjykatës së Hagës i kanë kërkuar trupit gjykues që të dënojë me 35 vjet burg ose me burgim të përjetshëm ish-gjeneralin serb Vlastimir Gjeorgjeviç. Sipas prokurorëve, ish-zyrtari i lartë i Ministrisë së Brendshme serbe është fajtor për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999. Gjykimi i Gjeorgjeviç në Hagë filloi në muajin janar të vitit të kaluar, ndërkohë që prokurorët përfunduan paraqitjen e provave në tetor.

Last Updated on E Merkure, 14 Korrik 2010 22:19

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›