Sejdiu: GJND nuk do të dalë kundër vullnetit të popullit kosovar
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu theksoi se askush nuk do ta rrëzojë vendimin për pavarësinë e Kosovës dhe se pavarësia është vullnet i pakthyeshëm i qytetarëve të vendit. Sejdiu ka shprehur bindjen se Gjykata Ndërkombëtare e
Drejtësisë (GJND) me opinionin e saj nuk do të dalë kundër vullnetit të qytetarëve të Kosovës për liri dhe shtet të pavarur. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pritet ta japë opinionin e saj rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës në mes datave 22 e 27 korrikut. Edhe pse nuk ka dashur të paragjykojë mendimin që do të japë GJND, presidenti Sejdiu ka thënë se Kosova është paraqitur e ka dhënë argumente të bazuara fuqishëm për funksionimin e shtetit të Kosovës. "Rreth GJND unë s'duhet të paragjykoj asnjëherë se cili do të jetë formula në shprehjen e mendimit final. Por them se gjithmonë se argumentet e Kosovës janë të bazuara. Për ne është me rëndësi se Kosova është një realitet pozitiv, i ndërtuar me vullnetin e qytetarëve të saj dhe i dhënë në verdiktin e 17 shkurtit të 2008. Pra një realitet që nuk kthehet asnjëherë në vullnetin që dikush mund të ketë një vullnet të anti- natyrshëm për të cenuar lirinë e dikujt. Ne do zhvillohemi dhe do të jetë një ecje e suksesshme them shans e barabartë për gjithë qytetarët e saj", ka thënë Sejdiu. Ndërkaq, kreu i vendit ka komentuar edhe deklaratën e shefit të Misionit EULEX, Yves de Kermabon, i cili bëri të ditur se gjykatësit dhe prokurorët vendorë nuk do të kthehen në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë më 15 korrik, sepse ende janë duke vazhduar diskutimet mes palëve përkatëse. Sejdiu ka thënë se nuk do të ketë ndalje për vendosjen e institucioneve përkatëse dhe ligjshmërisë në gjithë Kosovës, sepse kjo në interesin e të gjithëve. "Unë them se EULEX është i përkushtuar në këtë proces, por afatet kohore mund të jenë ndonjëherë pjesë e studimeve të momentit. Andaj unë duhet të besoj se nuk do të ketë ndalje. E rëndësishme është se kjo është një përputhje e përbashkët me gjithë qytetarët e vendit dhe unë sot kisha edhe disa mysafir në zyrën time që më shtruan këtë pyetje, apo këtë temë dhe them se është interes i gjithëve që të ketë sundim të ligjit", ka thënë Sejdiu.
GJND me 22 korrik shpall vendimin për Kosovën
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë i ka konfirmuar Koha.net edhe zyrtarisht se më 22 korrik, në orën 15, do të lexohet mendimi i kësaj gjykate mbi legalitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Një dëgjim publik do të zhvillohet të enjten, më 22 korrik, gjatë të cilit mendimin do ta lexoj presidenti i kësaj gjykate, Hisashi Owada. Dëgjimi do të bëhet në sallën e madhe në Pallatin e Drejtësisë në Hagë, ku pritet të jenë të pranishëm pjesëmarrësit e dëgjimit si dhe përfaqësuesit e korit diplomatikë. Mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me legalitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës është kërkuar nga Serbia dhe në bazë të kësaj kërkese Asambleja e Përgjithshme e OKB ka kërkuar që GJND të japë mendimin e saj. Shumë shtete kanë paraqitur argumentet e tyre me shkrim dhe disa edhe në dëgjimet gojore pro pavarësisë së Kosovës, por disa edhe kundër. Serbia ka paralajmëruar se pas shpalljes së këtij mendimi do të kërkojë kthimin e çështjes së statusit të Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në përpjekje për të rifilluar negociatat e reja për statusin e Kosovës. Një gjë e tillë është e papranueshme si për vetë Kosovën ashtu dhe për shumicën e shteteve, të cilat e kanë njohur Kosovën. Në njoftimin nga GJND-ja thuhet se seanca e leximit të mendimit për Kosovën do të transmetohet direkt edhe në faqen e internetit të Gjykatës.
Hyseni: Vendimi GJND do rikonfirmojë pavarësinë
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, ka deklaruar se ka marrë premtimin nga së paku 35 përfaqësues shtetesh se pas mendimit këshillëdhënës së Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Mund të them se bëhet fjalë për 35 shtete që kanë paralajmëruar njohjen e Kosovës. Unë nuk mund të them se kjo do të ndodhë menjëherë pas shpalljes së mendimit të GJND, por kam marr premtimin e atyre vendeve se do të njohin Kosovën, është shprehur ministri i jashtëm Hyseni. Ai nuk ka përmendur se cilat janë ato shtete. Por, ka vlerësuar se diplomacia e Kosovës është e gatshme që nëse ndodhin këto njohje para Kuvendit të Asamblesë së Përgjithshme të KB të bëjë gati dokumentet e nevojshme për të vënë kandidaturën për anëtarësim në KB.