Vrasja e Eva Vishajt, gjyqi rikthehet në Apel
TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranëi dha të drejtën të pandehurit Albenc Ago të bëjë ankim në Gjykatën e Apelit për “vrasjen me dashje”, këtu e 11 vite më parë të shtetases Eva Vishaj, nëna e këngëtares Elsa Lila. Sipas vendimit të djeshëm, dhënë nga togat e zeza, i pandehuri ka fituar të drejtën e ankimit të vendimit pranë Gjykatës së Apelit, pasi i kishte mbaruar afati i parashikimit të ankimit pranë kësaj gjykate, meqenëse ai është dënuar në mungesë. Kështu, paraditen e djeshme, ka qenë gjyqtari Gerd Hoxha ai i cili pas një sërë seancash dhe debatesh gjyqësore vendosi të pranojë kërkesën e avokatit mbrojtës të të pandehurit, duke rivendosur çështjen në afat për ankimim. Albenc Ago është dënuar me 20 vjet burg për vrasjen e Eva Vishajt, ndërkohë që dënimi në mungesë nuk i ka dhënë mundësinë atij të apelojë. Pas ekstradimit të tij nga Italia, ku u arrestua pas shpalljes së tij në kërkim ndërkombëtar, me ndihmën e përfaqësuesit ligjor ka kërkuar rivendosjen në afat për ankimim, duke shpresuar në një rigjykim dhe pafajësi të tij, pasi pretendon se nuk është ai autori i kësaj vrasjeje të ndodhur në vitin 1997. Në disa prej këtyre seancave gjyqësore, në sallën e gjyqit ka asistuar edhe vetë këngëtarja Elsa Lila, e cila nuk ka preferuar të flasë për mediat në lidhje me prezencën e saj përballë të dënuarit për vrasjen e nënës sa saj. Nëna e këngëtares Elsa Lila, viktima Eva Vishaj, u gjet e vrarë me një plumb në kokë në majine vitit 1997 në aksin rrugor Tiranë-Elbasan, në kilometrin 29. Ndërsa arrestimi i të pandehurit Ago u krye në gusht të vitit 2006 në Itali, nga ku u ekstradua vetëm pak muaj më parë.