Lirohet nga burgu kontrollori i Kakavijës
GJIROKASTER - Lirohet në sallën e gjyqit kontrollori i Policisë së Kakavijës, Afrim Shenaj. Shkalla e parë e gjyqësorit në Gjirokastër ka vendosur të ndjekë në gjendje të lirë policin e Kakavijës të arrestuar tri ditë më parë me pompozitet nga SHKB-ja, pasi favorizoi largimin ilegal me dokumente të falsifikuara të një çifti nga Fieri. Prokurori i çështjes, Arben Pasho, ka përcjellë tek kryesuesja e seancës Albina Spaho, të gjithë volumin e mbledhur nga policia gjyqësore, çka e kategorizon Shenajn si shkelës të ligjit konform veprave penale të shpërdorimit të detyrës dhe dhënie ndihme për kalim ilegal të kufirit. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i mbrojtjes. Kujtim Idrizi, përfaqësuesi ligjor i policit të Kakvijës, ka renditur me radhë të gjitha objeksionet e servirura, duke kundërshtuar kërkesën e prokurorisë që klienti i tij të qëndrojë në paraburgim deri në çeljen e seancës gjyqësore. Pasi ka dëgjuar të dy palët, kryesuesja e seancës gjyqësore, Albina Spaho, ka vendosur që policit t'i hiqeshin prangat në sallën e gjyqit, duke dhënë masën e arrestit detyrim paraqitje. p.n