E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrogozhinë, arrestohet për korrupsion drejtori i burgut



Fatos Mahmutaj

Drejtori i burgut të Rrogozhinës së bashku me dy vartës të tij u arrestua dje me akuzën e korrupsionit të kryer nga personat që ushtrojnë funksione publike. Zyra Task-Force në Prokurorinë e Durrësit dhe SHKB e burgjeve finalizuan një hetim të nisur disa muaj më parë, duke vënë në pranga tre persona, ndërsa kanë shpallur në kërkim të dyshuarin e katërt. Akuza e korrupsionit e ngritur ndaj drejtorit të burgut Pajtim Murrja dhe vartësve të tij, bën fjalë për korrupsionin me dhënien abuzive të lejeve të përkohshme për të dënuarit në burgun e Rrogozhinës. Burime nga seksioni i krimit ekonomik pohojnë se operacioni është zhvilluar pas një pune disamujore të organizuar nga SHKB e burgjeve dhe Prokuroria, institucione që kanë kryer përgjimet e funksionarëve si dhe ka mbledhur provat në ngarkim të të arrestuarve. Sipas burimeve nga Ministria e Drejtësisë, gjatë muajve të fundit drejtori i burgut kishte firmosur disa leje për të dënuar të ndryshëm, në shkelje të ligjit. Mendohet se bashkë me funksionarët e tjerë të arrestuar nga ky institucion, Murrja përfitonte shuma të hollash nëpërmjet një sekseri, një person jashtë sistemit të burgjeve që bënte ndërmjetësin. Sipas burimeve nga ministria, korrupsioni ishte organizuar në mënyrë të tillë që sekseri hynte në kontakt me edukatorët e burgut, të cilët plotësonin dosjen e "sjelljes së mirë" të të dënuarve, çka më pas mundësonte dhënien e lejes për të burgosurit. Sekseri jashtë institucionit përfitonte paratë nga familjarët e të dënuarve dhe pasi komunikonte me edukatorët, këta plotësonin fletëvlerësimet për të dënuarit, duke iu hequr masat disiplinore dhe sjelljet jo të mira të dokumentuara në institucion. Pas kësaj, drejtori Murrja firmoste fletëlejet në favor të të burgosurve. Murrja ndodhet në krye të burgut të Rrogozhinës prej rreth një viti. Ai drejtoi për dy vjet burgun e Peqinit dhe prej andej u transferua në Peqin. Punën në sistemin e burgjeve i arrestuari Pajtim Murrja e ka nisur në fund të vitit 2005, kur u emërua drejtor i para-burgimit 302 në krye-qytet, për shkak të punës së mirë të bërë në këtë paraburgim, që dikur njihej si një nga më problematikët në vend, Murrja u transferua në Peqin, për shkak se edhe ky institucion kishte mjaft probleme. Të paktën gjatë punës në burgje, Murrja është vlerësuar pasi ka menaxhuar mirë disa situata të pakëndshme që janë krijuar nga të burgosurit me anë të protestave, grevave dhe mosbindjes nga forcave të brendshme të policisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›