E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirohet “spiunia” franceze



Një mësuese franceze, Klotilde Reis, e cila ishte akuzuar për spiunim nga autoritetet e Iranit, është liruar dje dhe është nisur për në Francë. Klotilde Reis, 24- vjeçare, ishte arrestuar për dyshim se ka marrë pjesë në demonstrata, pas zgjedhjeve të fundit presidenciale në Iran. Avokati i saj, Mohamed Sabet, tha se një gjykatë iraniane ka marrë vendim se ajo mund të largohet nga Irani, pas pagesës prej afro 285 mijë dollarëve. Arrestimi i mësueses Reis i kishte shtuar tensionet ndërmjet Francës dhe Iranit. Pas mbërritjes në Francë, Reis është pritur në pallatin presidencial, Elize. Franca ka mohuar se mund të jetë bërë ndonjë lloj marrëveshjeje me Iranin për lirimin e mësueses, e cila nën akuzat e spiunimit ka qëndruar 10 muaj në burg në Iran. Ministri i Jashtëm francez, Bernar Kushner, tha se nuk është bërë kurrfarë pagese, për lirimin e francezes 24- vjeçare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›