E Diel, 1 Nëntor 2026

Përgjimi i drogës zbulon korrupsionin



Trazhgim Sokolaj

Përgjimi i telefonit të një personi të arrestuar për përdhunim në Durrës ndërkohë që hetohej për trafik droge kanë zbuluar korrupsionin e dyshuar të burgjeve, prokurorisë dhe gjykatës. Edmond Taulla, 25 vjeç, i cili hetohej për trafik heroine në drejtim të Italisë që në shtator 2008 u arrestua nga policia e Durrësit në dhjetor të atij viti, pas denoncimit të bërë ndaj tij nga një vajzë 21-vjeçare me akuzën e përdhunimit. Ndërkohë që mbahej në paraburgimin e Durrësit për këtë akuzë, Edmond Taulla, sipas burimeve të Prokurorisë së Përgjithshme përgjohej në kuadër të dosjes penale të hapur ndaj tij me akuzën e trafikut të drogës. Gjatë përgjimit të bisedave të kryera nga burgu prej shtetasit Edmond Taulla, sipas Prokurorisë së Përgjithshme është arritur të zbardhet mënyra se si 25-vjeçari u lirua nga burgu pak muaj pas arrestimit me akuzën e përdhunimit. “Interceptimi i bisedave të këtij personi është bërë ndërsa ai mbahej në burgun e Durrësit për akuzën “marrëdhënie seksuale me dhunë”, janë regjistruar biseda që ky i dyshuar ka bërë me avokatin e tij duke evidentuar edhe prokurorin e gjyqtarin që kanë shqyrtuar çështjen në ngarkim të tij derisa është arritur që vajza të tërheqë denoncimin për përdhunim dhe i pandehuri të lirohet nga burgu”, thanë burime të Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas tyre, Edmond Taulla, i njohur edhe me pseudonimin “Moke”, akuzohet në dosjen penale të koduar me emrin “Ura” se ka kryer trafik heroine nga Shqipëria në drejtim të Italisë në rrugë tokësore, në bashkëpunim me shtatë persona të tjerë. Një pjesë e veprimeve që sipas prokurorisë, e implikojnë të dyshuarin në trafikun e dy ngarkesave heroinë nga Durrësi në drejtim të Italisë, janë kryer me telefon nga paraburgimi i Durrësit ku Edmond Taulla u mbajt për disa muaj me akuzën e “marrëdhënieve seksuale me dhunë” derisa u la i lirë duke u shpallur i pafajshëm për këtë akuzë. “Gjatë kohës së qëndrimit në paraburgimin e Durrësit i pandehuri Edmond Taulla ka përdorur telefon celular në qeli madje ka ndërruar dhjetë numra të ndryshëm për të humbur gjurmët nga përgjimi. Futja e aparateve celularë dhe kartave SIM të përdorura nga i pandehuri janë lejuar nga efektiva të veçantë të policisë së burgut”, kanë thënë burimet e Prokurorisë së Përgjithshme.

Të arrestuar

1.Isuf Buna,39 vjeç, “Lalushi”

2.Shefqet Vata,48 vjeç, “çeti”

3. Endrit Dokle,

4. Jorid Xhunga,33 vjeç, “Ruçi”, “Ridi”

5.Edmond Taulla,25 vjeç, “Moke”

6.Vito Biba,41 vjeç, “Vehap”

7.eglantina Lulo, 37 vjeçe, “Tina”

Taulla në grupin e trafikut të heroinës
Edhe pse ia kishte dalë që në vitin 2009 të lirohej nga burgu në Durrës pas akuzave për përdhunimin e një vajze 21-vjeçare, Edmond Taulla është arrestuar tri ditë më parë me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ai akuzohet si anëtar i një grupi prej nëntë personash (8 në pranga një në kërkim), që në dy raste ka trafikuar 38.5 kile heroinë në rrugë tokësore në Itali. Në këtë grup bënte pjesë edhe Endrit Dokle, i arrestuar në 2005.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›