E Diel, 1 Nëntor 2026

Betejë në Bangkok, shkon në 29 numri i protestuesve të vrarë



Një betejë e vërtetë me armë zjarri ka nisur të dielën në Bangkok, në zonën e bllokuar me barrikada nga protestuesit antiqeveritarë të këmishave të kuqe dhe ushtrisë tajlandeze. Sipas CNN beteja ka zgjatur rreth 15 minuta dhe kishte të shtëna me automatik. Nuk është ende e qartë se nga nisën të shtënat, nga ushtria apo protestuesit. Të dielën Qeveria tajlandeze e deklaroi gjendjen e jashtëzakonshme edhe në disa provinca të tjera ndërsa është shtuar frika se protestat do të rriten edhe në qytete të tjera. Në Bangkok numri i viktimave u rrit të paktën në 21. Gjendja e jashtëzakonshme u shpall edhe në 5 provinca të tjera dje duke e çuar në 22 numrin e provincave në këtë gjendje në të gjithë vendin. Rajonet e prekura janë kryesisht në veri dhe verilindje të Tajlandës, zona që janë njohur si pika të forta të këmishave të kuqe. Qeveria ka bllokuar transaksionet financiare të 106 kompanive dhe individëve gjatë protestave. E hëna dhe e marta janë deklaruar si ditë pushimi në zonën e Bangkokut. Edhe hapja e shkollave është shtyrë deri më 24 maj. Lëvizja antiqeveritare në Tajlandë është shprehur e gatshme të nisë negociatat me Qeverinë, nëse autoritetet tërheqin trupat dhe i japin fund vrasjes së demonstruesve në rrugët e kryeqytetit. Pesë persona të tjerë u vranë dje dhe numri i viktimave të regjistruara ka shkuar në 29 vetë. Kombet e bashkuara kanë ofruar një ndërmjetës që të diskutojë me protestuesit për t’i dhënë fund protestave dhe dhunës,por Qeveria tajlandeze ka refuzuar duke u shprehur se nuk do të lejojë askënd të ndërhyjë në punët e saj të brendshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›