Lisistrata me fusnotë
Komedia antike e Aristofanit ‘Lisistrata’ vjen në Teatrin Kombëtar në Prishtinë në një formë të re. Në regji të Elmaze Nurës, ‘Lisistrata’, të cilës regjisorja ia ka vënë një fusnotë, e cila do të thotë ‘greva e seksit’, nuk përshkruan luftën për territore ndërmjet Athinës dhe Spartës, siç ka ndodhur në Greqinë antike, por luftën për shkëmbimin e zonave elektorale, siç ndodh në ditët e sotme.
Premiera e kësaj komedia do të jepet sot (e enjte), në orën 20:00, në Teatrin Kombëtar. Në konferencën që u mbajt të mërkurën, lidhur me këtë shfaqje folën udhëheqësit e teatrit si dhe regjisorja e shfaqjes, Elmaze Nura, e cila tha se komedinë antike të Aristofanit e ka kthyer në realitetin kosovar.
“Si regjisore nuk i kam dhënë të drejtë vetes që të dal të promovoj idenë për shkëmbimin e territoreve, edhe pse politikisht është folur për shkëmbim territoresh. Te Aristofani gratë bëjnë thirrje për ta ndalur luftën, ndërsa te ne gratë kanë luftuar për të mbrojtur territorin, prandaj kjo nuk i përket popullit tonë”, tha Nura.
Ajo shtoi se e ka sjellë në nivelin ku gjithçka ndodh në një fushatë elektorale.
“Ajo që unë kam dashur të them është se është një satirë politike, që nuk i përgjigjet vetëm shoqërisë kosovare por edhe shoqërive të tjera”, tha ajo, duke shtuar se shpreson në reagimin pozitiv të publikut.
Ndërkaq, drejtoresha e Teatrit Kombëtar, Burbuqe Berisha, tha se shfaqja lidhet me realitetin.
“Është një kreacion jo vetëm që vlen për t’u parë, por edhe do të zgjojë interesim të madh te publiku. Është shfaqje provokative”, tha Berisha.
Emin Emini, drejtor artistik në TK, tha se ky është një tekst me vlera të përbotshme. Ndërsa Aurita Agushi, e cila është aktorja kryesore në komedi, tha se një sukses mund të arrihet vetëm nëse ekziston besimi te njëri tjetri, në këtë rast mes aktorëve dhe regjisores.
Përpos, Agushit, në rolet tjera luajnë edhe Mentor Zymberaj, Florentina Ademi, Albulena Kryeziu, Teuta Sadiku, Dafina Berisha, Hazir Sh. Haziri, Veton Osmani, Ramadan Malaj, Bledar Racaj.
‘Lisistrata’ është një komedi e cila i dedikohet paqes dhe vetëdijesimit të njerëzve për të mos krijuar konflikte. ‘Lisistrata’ është protestë kundër së keqes, luftës dhe ngatërresave që shkaktohen nga burrat. Gratë përkundër të gjitha tundimeve, zgjedhin që këtë të keqe të botës ta luftojnë përmes hyrjes në grevë seksi. Burrat edhe pse mendojnë që gratë nuk do të mund të rezistojnë gjatë, janë ata që dorëzohen të parët dhe heqin dorë nga ngatërresat me njëri - tjetrin.
Kjo shfaqje është një satirë politike e adaptuar për kohën në të cilën jetojmë.