Jahjaga: Na duhet ndihma e KFOR-it!

Presidentja Jahjaga e njoftoi gjeneralin Drews për fillimin e takimeve me drejtues të institucioneve dhe të mekanizmave të sigurisë, ata vendorë dhe ndërkombëtarë, në bazë të kompetencave të saj kushtetuese e ligjore, në përpjekje për të bashkërenduar veprimet institucionale.
Ajo tha se takimet që po zhvillon po bëhen me qëllim të vlerësimit të situatës së sigurisë në Republikën e Kosovës, pas sulmit me bombë që ndodhi fund javën e kaluar në Mitrovicë.
Presidentja Jahjaga theksoi se ndihma e forcës paqeruajtëse KFOR është e nevojshme për të vendosur rendin dhe qetësinë dhe për të ndihmuar qytetarët serbë në tri komunat në veriut të Kosovës që të jetojnë të lirë dhe pa frikë nga strukturat kriminale dhe ilegale që po veprojnë në këtë pjesë të territorit të Kosovës, njofton zyra për informim e Presidencës.
Komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Drews, theksoi se forca paqeruajtëse në Kosovë do të vazhdojë të përmbushë mandatin e saj të ruajtjes së mjedisit të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.
Presidentja Jahjaga, një ditë më parë ka takuar edhe drejtues të tjerë të institucioneve dhe të mekanizmave të sigurisë, vendorë dhe ndërkombëtarë, me qëllim të vlerësimit të situatës së sigurisë në Kosovë.