Protesta, të verbrit dhunohen përpara Kryeministrisë
Protesta e të verbërve përpara Kryeministrisë për plotësimin e disa kërkesave të tyre është shoqëruar me një akt të shëmtuar dhe të dhunshëm nga ana e një personi civil. Ky i fundit, që sipas policisë është biznesmeni Pëllumb Borshi, në tentativë për të hyrë në Kryeministri, ka qëlluar dy prej grave protestuese. E gjithë ngjarja e rëndë ka ndodhur përpara syve të punonjësve të policisë dhe Gardës, të cilët nuk kanë marrë asnjë masë ndaj tij. Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe kreu i PS, Edi Rama, që e ka dënuar ashpër dhunën e ushtruar ndaj protestuesve të verbër, por edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Ndërkohë, Kryeministria, në vend që të dënonte aktin e dhunshëm ndaj të verbërve, ka sulmuar kreun e PS, Edi Rama, duke thënë se qe pikërisht ky i fundit që nxiti këtë ngjarje.
Dhuna
Rreth 100 të verbër në orën 07:30, të lidhur me litar me njëri-tjetrin, kanë protestuar pranë Kryeministrisë, duke penguar futjen e punonjësve në godinë, në mënyrë që kryeministri Berisha t’i takonte për të dëgjuar kërkesat e tyre. Në fakt, protesta ka nisur paqësore, teksa forcat e policisë nuk kanë ndërhyrë që t’i ndalonin të protestonin të verbrit. Por, gjatë kësaj kohe, një person civil, i cili fillimisht u mendua si punonjës i Kryeministrisë, ka ushtruar një dhunë barbare ndaj protestuesve.
Në momentin e protestës, sipas policisë, ai ka hyrë në Kryeministri dhe në këtë moment ka goditur dy prej grave që protestonin. Pas kësaj, ai është larguar i qetë, ndërsa forcat e policisë dhe Gardës, të cilat ishin prezente gjatë ngjarjes së rëndë, nuk kanë marrë asnjë masë ndaj dhunuesit. Disa orë më pas, Ministria e Brendshme dhe policia bënë me dije se personi që kishte ushtruar dhunë ndaj protestuesve të verbër nuk ishte punonjës i Gardës së Republikës dhe as i Policisë së Shtetit. “Ministria e Brendshme sqaron opinionin publik se personi, i cili paraqitet në një media televizive si autor i një incidenti me një qytetare të Shoqatës së të Verbërve përpara godinës së Kryeministrisë, nuk është personel i Gardës së Republikës dhe as i strukturave të Policisë së Shtetit”, - bëri të ditur në një komunikatë për shtyp Ministria e Brendshme. Pak orë më vonë, policia bëri me dije se personi që ushtroi dhunë ndaj të verbërve është biznesmeni Pëllumb Borshi, i cili u shoqërua në ambientet e policisë për t’u marrë në pyetje. Borshi mësohet se është një biznesmen i furrave, ndërkohë që ende nuk dihen arsyet e dhunës së tij ushtruar ndaj të verbërve gjate protestës.
Reagimi
Në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj protestuesve të verbër ditën e djeshme, ka reaguar edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Ky i fundit është shprehur i indinjuar me pandjeshmërinë e kësaj qeverie në zgjidhjen e problemeve të njerëzve. “Kjo qeveri, e paaftë për të zgjidhur hallet e njerëzve në nevojë, njëkohësisht e pandjeshme për t’i qarë këto halle, së paku duke u njohur atyre njerëzve dinjitetin, është shëmbëlltyra e një politike të vjetër. E një politike të vjetër dhe pa zemër për të ndjerë problemet e njerëzve, pa veshë për të dëgjuar hallet dhe shqetësimet e tyre dhe pa sy për të parë se në çfarë gjendjeje ata përpëliten”, - deklaroi kreu i selisë rozë.
Sakaq, për ngjarjen e rëndë reagoi edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, që e cilësoi dhunën e ushtruar ndaj grave të verbra si barbare dhe çnjerëzore. “KSHH e sheh të nevojshme të reagojë publikisht për dhunën brutale dhe çnjerëzore që u ushtrua në këtë tubim ndaj tri grave të verbra. Është revoltues fakti që personi që kreu këtë akt të dënueshëm, u largua qetësisht, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. KSHH i bën thirrje organeve kompetente që të veprojnë me urgjencë dhe të vënë para përgjegjësisë ligjore personin që kreu një akt të tillë, në një vend publik dhe me një mospërfillje të dukshme. Aktualisht, i rëndësishëm është identifikimi dhe ndalimi i personit dhunues, kushdo qoftë ai, punonjës i Gardës, i policisë apo nëpunës i shtetit”, - thuhet në komunikatën për shtyp të Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Kjo organizatë ka kërkuar gjithashtu marrjen parasysh të kërkesave të të verbërve. “Komiteti Shqiptar i Helsinkit mendon se ky tubim paqësor i një shtrese të tillë, pavarësisht se sa dhe në ç’masë janë të bazuara pretendimet e tyre, kërkon vëmendje të veçantë, dhimbsuri dhe durim për t’i bindur ata mbi mundësitë ose jo për të plotësuar kërkesat e tyre”, - përfundon komunikata e KSHH.
Kërkesat e të verbërve
Kërkesat kryesore të të verbërve janë rritja e pagesës, përjashtimi nga taksat, si dhe mundësi për strehim. Zbatimi i ligjit për të verbrit ka të bëjë për përjashtimin e tyre nga taksa, gjë që në fakt nuk është zbatuar deri më tani. Të verbrit kanë pasur edhe një takim në Ministrinë e Punës, por nuk kanë marrë përgjigje pozitive, ndaj dhe kërkojnë me çdo kusht takim me kryeministrin. “Pretendimi i ngritur prej tyre se mënyra e trajtimit nuk ka ndryshuar, nuk qëndron. Sot, të verbrit marrin 8700 lekë në muaj dhe kemi nisur procedurat që kjo pagesë të shkojë 9800”, - thotë zëdhënësja e Ministrisë së Punës, Alma Lahe. Ministria ka kërkuar mirëkuptimin e të verbërve duke iu premtuar atyre se do të rishikojë kërkesat që ata kanë. Ndërkohë, presidenti i Shoqatës së të Verbërve tha se kjo protestë do të përsëritet edhe ditën e sotme, duke kërkuar patjetër takim me kryeministrin, Sali Berisha. Nëse ky i fundit nuk do të pranojë kërkesën e tyre për takim dhe nëse Ministria e Punës nuk do të marrë parasysh plotësimin e kërkesave të tyre, të verbrit thonë se do të futen në grevë urie.
Kryeministria injoron dhunën ndaj të verbërve dhe akuzon Edi Ramën
Zyra e shtypit pranë Kryeministrisë ka injoruar dje dhunën e ushtruar ndaj tri grave të verbra dhe është marrë me kreun e PS, Edi Rama, duke e akuzuar këtë si shpifës. “Edi Rama, pasi nxiti që të shpifnin mediet që kontrollon, doli edhe vetë në konferencë për shtyp për të denoncuar goditjen, sipas tij, nga një punonjës i Këshillit të Ministrave, të një gruaje që protestonte përpara derës së Kryeministrisë”, - bëri të ditur zyra e shtypit pranë Kryeministrisë. Sipas kësaj të fundit, “Edi Rama dëshmoi kështu se është i aftë të manipulojë ultësisht çdo gjë, çdo incident dhe çdo fatkeqësi. Edi Rama tregoi kështu edhe një herë se është në gjendje të manipulojë fatkeqësitë njerëzore njëlloj si manipuloi shpirtrat e të vdekurve, si në rastin e Trebickës dhe për viktimat e Gërdecit”. Sakaq, kjo zyrë ka vazhduar akuzat personale ndaj kreut të Partisë Socialiste, duke thënë se, “zotit Rama i themi se këto incidente janë vërtet të turpshme dhe shumë të dënueshme, por po aq e turpshme dhe e dënueshme është rrahja dhe nxjerrja në rrugë e nënës me rroba gjumi apo goditja me grushte si një kafshë në lokale publike e bashkëshortes së radhës”.