E Shtunë, 31 Tetor 2026

U arratis nga burgu në Maqedoni, arrestohet në Rinas "trafikanti"

 

TIRANE - Një 40-vjeçar maqedonas, i cili dyshohet se është arratisur nga burgu në Maqedoni, ku vuante dënimin për trafik lëndësh narkotike, është arrestuar dje në Aeroportin e Rinasit. Burime nga Komisariati i Policisë Rinas thanë se, i arrestuari është 40-vjeçari Adem Sulejmani, lindur dhe banues në Shkup, me kombësi dhe shtetësi maqedonase, i proceduar më parë për veprën penale të "trafikimit të lëndëve narkotike". Sipas policisë, nga të gjitha verifikimet e kryera, ka rezultuar se ky person është arratisur nga vendi i vuajtjes së dënimit në një burg të Maqedonisë. Arrestimi i Sulejmanit u krye dje rreth orës 14:30, kur ai është ndaluar nga kontrollori në kabinat e daljes, ku po tentonte të udhëtonte në drejtim të Çekisë. Maqedonasi, tentonte të lëvizte tranzit në Hungari me linjën ajrore Malev-Budapest, duke përdorur për të udhëtuar me një pasaportë bullgare, në emër të Viktor Pavlov Mihaylov, për të cilën dyshohet se është e falsifikuar. Gjithashtu, sipas burimeve, mësohet se 40-vjeçari nga Shkupi posedonte edhe një kartë identiteti bullgare po në emër të shtetasit bullgar Viktor Mihaylov, si dhe një leje drejtimi automjeti bullgare po në emër të këtij personi, të marra në të njëjtën datë, të cilat dyshohen si të falsifikuara. Maqedonasi është arrestuar me akuzën e "vënies në përdorim të dokumenteve të falsifikuara".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›