"Lista e kandidatëve për deputetë, 45 ditë para zgjedhjeve"
I sapozgjedhur kryetar i internacionales socialiste për Evropën Juglindore, post që mbahet për herë të parë nga një lider shqiptar, vetëm pak ditë pas miratimit të Kodit Zgjedhor, Edi Rama e vlerëson këtë zgjedhje si rrjedhojë e reformimit të socialistëve shqiptarë. "Është shprehje e faktit të thjeshtë se reformimi i Partisë Socialiste ka ngjallur interes edhe në gjirin e internacionales", thotë Rama. Në një intervistë të gjatë ai zbulon detaje konkrete të organizimit të ri të Partisë Socialiste, që e kanë bazën tek ai partiak, por edhe bashkëpunimi me shoqërinë. Filozofi që është përligjur te ndërtimi i bordeve të qytetarëve, jashtë radhëve të Partisë Socialiste në të gjitha qarqet e vendit. "Por që janë shprehja e vetëdijes sonë se është partia që duhet të shkojë te njerëzit dhe jo njerëzit që duhet të vijnë te partia", vlerëson Rama. Programi qeverisës i Partisë Socialiste është një tjetër element për të cilin socialistët vazhdojnë të punojnë në një tur dialogu me Shqipërinë, të drejtuar nga kryetari i tyre. "Duam të premtojmë atë që mund të bëjmë dhe të bëjmë gjithçka që premtojmë", u angazhua Rama. Një sherrnajë e vjetër e formimit të koalicioneve parazgjedhore dhe futja e partive nën sqetullën e partisë mëmë, këtë radhë sfumohet për shkak të sistemit të ri zgjedhor. Por kjo nuk i zbeh aspak ambiciet e kryetarit Edi Rama për një koalicion, ku Partia Socialiste të jetë qendra e gravitetit. "Procesi i formimit të koalicioneve është një proces në vazhdim dhe unë kam besim të plotë se Partia Socialiste do të jetë qendra e gravitetit në një koalicion të madh njerëzish përtej kufijve të vjetër. Sot, Shqipëria ka nevojë për një bashkim të madh qytetarësh dhe jo për një pazar kryetarësh", nënvizon Rama. Por, përtej marrëdhënieve me publikun dhe qytetarët, partia është një realitet me dinamikë tjetër. Çka na lë të kuptohet se sistemi i ri zgjedhor do të imponojë edhe rregulla të reja në përcaktimin e kandidatëve për deputetë. Sistemi i vjetër i propozimeve nga strukturat e partisë në bazë bie. Në plan të parë të thithjes së mendimeve për kandidatët do të jenë qytetarët. "Ne jemi duke reflektuar mbi formën me të cilën do të thithim opinionin qytetar dhe njëkohësisht mbi mënyrën se si do të harmonizojmë mosha, gjini, eksperienca dhe energji të reja në këtë listë, që është shumë herët për të folur konkretisht dhe që do t‘u paraqitet zgjedhësve në momentin më të përshtatshëm, që është edhe fillimi i fushatës elektorale", thekson Rama. Por, pas tri vitesh punë të Edi Ramës për t‘i vënë kolona betoni themeleve me qerpiç të Partisë Socialiste, prova e tij më e madhe mbeten zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009.