E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Qeverisja e keqe e Berishës po stimulon korrupsionin në vend

Lideri i opozitës, Edi Rama, tërhoqi dje vëmendjen e opinionit publik ndaj raportit të "Ballkan Monitor", realizuar nga "Gallup"-i, në bashkëpunim me Fondin Evropian për Ballkanin. Sipas tij, në këtë raport këndvështrimesh e perceptimesh të mbledhura shkencërisht në të gjithë rajonin tonë, Shqipëria rezulton jo vetëm vendi më i korruptuar në Ballkan, por edhe vendi ku vetëm 29% e popullit beson se qeveria e ka seriozisht luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit. "Raporti e përcakton Shqipërinë si një rast të veçantë negativ në kapitullin për qeverisjen e korrupsionin, duke theksuar se vendi ynë përbën një përjashtim në rajon për nivelin e lartë të korrupsionit", theksoi Rama. Siç e tregon edhe tabela përkatëse, shtoi ai, kjo qeveri dhe ky Kryeministër na kanë veçuar edhe nga Ballkani me korrupsionin e kudondodhur që stimulon keqqeverisja e tyre. "Ndërkohë që Serbia, Maqedonia, Mali i Zi, Kroacia, Bosnja dhe Kosova kanë një nivel korrupsioni, sipas radhës nga 10 në 5%, niveli i korrupsionit në Shqipëri është 32%", sqaroi Rama. Partia Socialiste mendon se nuk është e para herë që raportet e institucioneve të specializuara na japin këtë vit një pamje rrëqethëse të keqqeverisjes, duke nxjerrë në pah me fakte reale e shifra tronditëse atë që shqiptarët e shqiptaret përjetojnë vijimësisht nën këtë qeveri që po shpartallon shtetin dhe nën këtë Kryeministër që po abuzon rëndshëm me pushtetin. Sali Berisha, vijoi ai, përpiqet ta mbulojë malin e mëkateve të qeverisjes së tij me një mjegull rrenash, faktesh të deformuara, shifrash të sajuara, inaugurimesh e spotesh banale që i paguan me lekët e shqiptarëve, ndërkohë që vetëm në 4 muajt e fundit janë shprehur shumë qartë për gjendjen e rëndë të korrupsionit 3 burime prestigjioze ndërkombëtare. "Në gusht FMN-ja, në raportin e saj, tha që në krahasim me vitin 2005, korrupsioni në Shqipëri është dyfishuar. Në fillim të nëntorit, Bashkimi Evropian në Raportin e Progresit theksoi se korrupsioni në Shqipëri është një problem veçanërisht serioz dhe një fenomen i kudondodhur. Dhe së fundmi, raporti i ‘Ballkan Monitor‘ nënvizon se Shqipëria është jo vetëm vendi më i korruptuar në rajon, por me diferencë të jashtëzakonshme nga të gjitha vendet e tjera", konstatoi Rama. Ai insistoi se s‘ka asnjë dyshim se Kryeministri do të vazhdojë të gënjejë, qeveria e tij do të vazhdojë të abuzojë, keqqeverisja e vendit do të vazhdojë t‘u shkaktojë vuajtje e dëme shqiptarëve, por falë vetëdijësimit të gjithmonë e më shumë qytetarëve e qytetareve të këtij vendi, kjo agoni nuk do të zgjasë më shumë se muajt që i kanë mbetur Sali Berishës në pushtet.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›