E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Progres-Raporti evidentoi cenimin e pavarësisë së institucioneve

Komisioni Parlamentar i Integrimit ka diskutuar dje për Raport-Progresin e Komisionit Evropian për Shqipërinë. E pranishme në këtë mbledhje ka qenë ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, e cila, pasi ka bërë një përmbledhje për deputetët anëtarë të komisionit, u është përgjigjur pyetjeve të tyre. Në komision morën pjesë vetëm deputetë të opozitës, të cilët nuk i kanë kursyer pyetjet për ministren e Integrimit, sidomos në lidhje me pavarësinë e institucioneve, reformën në drejtësi, rritjen e nivelit të korrupsionit, pavarësinë e mediave, si dhe çështjen e liberalizimit të vizave. Këto çështje shkaktuan debat mes deputetëve të opozitës dhe ministres së Integrimit Bregu, sidomos për sa i përket problemit të korrupsionit dhe lirisë së medias.

Kryetari i Komisionit të Integrimit, Ilir Meta, në fjalën e tij është ndalur në problemet që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi, duke theksuar se mungon një vizion në tërësi dhe një strategji e gjerë, pavarësisht miratimit të ndonjë ligji. Duke përmendur disa konstatime të Raport-Progresit, shqetësimet që kanë të bëjnë me pavarësinë e institucioneve kushtetuese, pavarësinë e gjyqësorit, me nivelin e ulët të ekzekutimit të vendimeve të Përmbarimit, buxhetit të pamjaftueshëm për gjykatat, apo dhe kritikat lidhur me moskonsultimin e gjerë të projektligjit për prokurorinë, Meta kërkoi nga ministrja Bregu, sesi i lexon qeveria këto shqetësime të shprehura edhe në Raport-Progres. Në përgjigje të shqetësimit të ngritur nga kryetari i komisionit Meta, ministrja e Integrimit pohoi se gjyqësori dhe drejtësia është një problem madhor, e një reformë që bëhet me konsensus. Për sa i përket pyetjes së tij se pse mungon një strategji e gjerë për drejtësinë, Bregu u shpreh se në Shqipëri mungon kultura juridike për një gjë të tillë. Ndërkohë, ajo pranoi se buxheti për gjyqësorin është i pamjaftueshëm, duke thënë se, "buxheti nuk mjafton asnjëherë për askënd. Askush nuk mund të thotë se ‘jam i kënaqur‘". Gjithashtu pjesë e debatit mes ministres Bregu dhe deputetëve të opozitës ka qenë edhe mënyra sesi është lexuar Raport-Progresi i BE-së. Sipas opozitës, raporti tregon mungesë të ecurisë së Shqipërisë në realizimin e reformave, ndërsa ministria Bregu theksoi se në nëpërmjet këtij Progres-Raporti, Shqipëria është vlerësuar për realizimin e reformave në vend.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›