E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lista e kombetares per perballjen me Francen

Trajneri i kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe ka publikuar emrat e 23 futbollistëve për dy ndeshjet e radhsës në grupin D eliminator të Euro 2012 kundër Francës më 2 shtator në Tiranë dhe katër ditë më pas kundër Luksemburgut në transfertë. Ashtu siç kishte bërë të ditur edhe më parë, tekniku kroat do t’i besojë sërish lojtarëve që kanë marrë pjesë në këto eliminatore me nga një risi për çdo repart.

Lamtumira e Arjan Beqaj i ka hapur rrugën grumbullimit të portierit të Skënderbeut, Orges Shehi. Tjetër emër i ri që i bashkohet skuadrës kuqezin është mbrojtësi i Flamurtarit, Franc Veliu, i cili më parë është provuar nga Kuzhe në disa ndeshje miqësore. I njëjti diskutim vlen edhe për sulmuesin Ahmed Januzi, i cili pasi ka treguar një formë të shkëlqyer me skuadrën ukrainase të Vorskla ka bindur Kuzhen ta thërrasë për dy sfidat e radhës në eliminatoret e Euro 2012. Sa i përket lojtarëve të tjerë, trajneri kroat ka preferuar të mbështetet sërish te futbollistët që kanë mbyllur gjashtë ndeshjet e para të grupit D.

Edhe pse pa ekip, Kuzhe ka preferuar të grumbullojë sërish Ervin Skelën dhe Klodian Duron, ku i pari me shumë mundësi do të jetë titullar në të dy ndeshjet. Edhe në repartin e sulmit, tekniku kroat do t’i besojë sërish dyshes Salihi-Bogdani, që në sfidat e fundit të përfaqësueses kanë treguar një formë të shkëlqyer. Në prag të ndeshjes me Francën dhe Luksemburgun, kombëtarja shqiptare do të nisë grumbullimin të dielën në Durrës.

Nertan Prifti

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›