E Diel, 1 Nëntor 2026

Roma në panik nga pakot-bomba, alarm edhe në Ambasadën Shqiptare



ROMË - Italia në panik nga alarmet për pako-bomba, të dërguara në ambasadat e huaja në Romë. Gjatë pasdites së ditës së hënë në alarm është vënë edhe Ambasada Shqiptare, pas një pakoje të dyshimtë të mbërritur me postën e përditshme në ambientet e selisë diplomatike që ndodhet në rrugën “Asmara”, në Romë. Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe pas kontrolleve u njoftua se alarmi ishte fals dhe se brenda pakos së dyshimtë u gjet një kalendar. Ambasadori shqiptar në Romë, Llesh Kola, bëri të ditur se pakoja e dyshimtë mbërriti në ambasadë rreth mesditës me anë të postës së përditshme. “Në mesditë ka ardhur një kuti të dyshimtë. Është njoftuar policia, e cila ka ardhur në mjediset e ambasadës. Pasi ka kontrolluar pakon rezultoi se aty ndodhej një kalendar. Janë marrë të gjitha masat dhe kontrollet janë të imtësishme”, - theksoi Kola.
Gjatë ditës së djeshme një pako bombë u gjet në Ambasadën Greke në kryeqytetin italian. Ndërkohë që në disa të tjera, përkatësisht atë venezueliane, daneze, finlandeze dhe atë të Monakos, alarmet për bomba rezultuan të ishin false.
Praktika e mesazheve alarmuese dhe pakove bombë shpërthyen disa javë më parë në disa vende të Europës. Greqia ishte e para. Disa ambasada në Athinë u alarmuan pas telefonatave anonime që mbërritën në selitë e huaja diplomatike. Pjesa më e madhe e rasteve ishin false. Më pas, e njëjta praktikë terrori u përhap edhe në Dubai, Londër, Nju Jork dhe Berlin. Në fillim të muajit nëntor, një zarf i dyshimtë ka arritur në zyrën e kancelares gjermane, Angela Merkel. Zarfi kishte brenda lëndë eksplozive të panjohur dhe sipas autoriteteve gjermane, mund të kishte shpërthyer. Ai ishte i njëjtë me ato që ishin gjetur në Greqi dhe dyshohet se zarfi mund të jetë dërguar nga Athina. Kancelarja e Gjermanisë gjendej në Belgjikë për një vizitë zyrtare kur shkoi zarfi-bombë në zyrën e zonjës Merkel.
Gjermania kërkoi marrjen e masave, ku në fokusin kryesor ishte kontrolli i ngarkesave postare nga një vend në tjetrin; filtri i hollësishëm dhe shmangia e ngarkesave eksplozive apo akteve terroriste.

Gjirokastër, kapen 70 kg marijuanë, një person në pranga, dy në kërkim

GJIROKASTËR - Një sasi prej 70 kilogramësh lëndë narkotike marijuanë është sekuestruar një orë pas mesnatës së të dielës nga policia kufitare e Gjirokastrës. Rreth orës 01:30 të 27 dhjetorit, gjatë shërbimit në kufirin e gjelbër, policia ka konstatuar se tre persona po ecnin drejt vijës kufitare me shtetin grek, në vendin e quajtur “Gryka e Bogazit”, afër Piramidës 24 të kufirit. Tre shtetasit kishin nga një çantë të madhe shpine, ku dyshohej se brenda tyre kishte lëndë narkotike. Forcat e policisë janë vënë në ndjekje të shtetasve dhe kanë arritur të kapin në flagrancë njërin prej transportuesve së bashku me çantën që transportonte. I arrestuari është Adil Peshku, 23 vjeç, lindur dhe banues në Kostenjë të rrethit Librazhd. Ndërsa dy personat e tjerë, duke përfituar nga errësira dhe moti i keq me shi e dëborë, të favorizuar edhe nga terreni i thyer dhe bimësia, kanë arritur të largohen pa u identifikuar nga patrulla e policisë kufitare, duke braktisur edhe çantat, të cilat janë sekuestruar nga ana e policisë. “Nga këqyrja që iu bë çantave rezultoi se në tri çantat kishte 60 pako me peshë të ndryshme, të mbështjella me letër natriban, ku brenda tyre ndodhej lëndë narkotike e dyshuar si marijuanë, gjithsej rreth 70 kilogramë. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, - informon Policia e Gjirokastrës në komunikatën e saj për shtyp. Forcat e shërbimeve të Policisë Kufitare dhe specialistët e Sektorit Kundër Narkotikeve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër po vijojnë operacionin për kapjen e 2 të kërkuarve. Sipas të dhënave paraprake, dy të rinjtë e shpallur në kërkim janë nga Saranda, por për arsye hetimi nuk bëhen të ditura gjeneralitetet e tyre. Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme për veprën penale “trafikim të lëndëve narkotike”.
Pak ditë më parë u kap një sasi prej 140 kilogramësh në Gjirokastër dhe në fundin e javës së shkuar u sekuestruan në Fier 1340 kg Cannabis.

Mat, gjendet i vdekur një 23-vjeçar

MAT - Gjendet i vdekur një 23-vjeçar në Mat. Ngjarja ka ndodhur dje paradite, kur banorë të fshatit Karicë kanë parë pranë kishës trupin e pajetë të të riut Besmir Kurti. Menjëherë ata kanë njoftuar forcat e policisë, që mbërriti në vendngjarje. Nga verifikimet e para rezultoi se Kurti është qëlluar me armë zjarri, gjë që i ka shkaktuar më pas dhe vdekjen. Mësohet se 23-vjeçari kishte dalë nga shtëpia ditën e diel dhe nuk ishte kthyer më. Kanë qenë familjarët që kanë denoncuar zhdukjen e djalit të tyre. Ende nuk dihet nëse ka qenë ndonjë person tjetër që mund të ketë qëlluar 23-vjeçarin, apo është vetëvrarë. Aktualisht është ngritur një grup i posaçëm hetimor për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.

Vrasja në Peqin, ndalohen Skilja dhe Ahmet Methasa

PEQIN - Vdekja e 60-vjeçarit Ali Ibaj pasditen e dy ditëve më parë është shoqëruar me ndalimin e 2 personave si të dyshuar për përfshirje në krim. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Elbasanit bënë të ditur se u arrestuan shtetasit Skënder Skilja dhe Ahmet Methasa, të cilët, sipas grupit hetimor, kanë prishur provat në vendin e ngjarjes dhe kanë refuzuar të japin shpjegime para organit të hetimit për vrasjen e ndodhur të dielën pasdite. Ali Ibaj u gjet i vrarë rreth orës 15:00 të ditës së diel, në një lokal në lagjen “Çezme”, pranë stacionit hekurudhor të qytetit të Peqinit. Nga verifikimet e grupit hetimor u konkludua se 60-vjeçari kishte vdekur si pasojë e plagëve të shkaktuara në zemër nga një armë zjarri tip pistoletë, e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Por edhe pse dyshimi i parë i policisë ishte se Ali Ibaj, 60 vjeç, mund të jetë vetëvrarë me një armë zjarri të llojit pistoletë tip “TT”, hetimet vazhdojnë për të zbardhur misterin që ka mbështjellë ngjarjen. Dy shtetasit e ndaluar ishin klientë të lokalit ku ka ndodhur ngjarja.

28 Dhjetor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›