E Diel, 1 Nëntor 2026

Lista me 68 barnat e reja që do të kenë qendrat shëndetësore



Emanuela Sako

ISKSH-ja ka përcaktuar sasitë e barnave dhe materialeve të detyrueshme që duhet të kenë urgjencat tani e tutje në një qendër shëndetësore. Sipas burimeve nga ky institucion, asnjë qendër shëndetësore nuk duhet të ketë mungesë të medikamenteve pasi ka hartuar listën e plotë me 68 elementet mjekësore. Në këtë mënyrë, vendimi për sasitë e barnave dhe materialeve duhet të merret nga drejtori i qendrës, në përputhje me volumin e punës dhe kushtet e zonës. Ndërsa tipat dhe sasitë e vaksinave përcaktohen nga PKV-të. Lista e barnave dhe e materialeve të konsumit shërbejnë për mbulimin e plotë të nevojave të QSH-ve për t’i shërbyer popullatës në rastet urgjente, për t’i dhënë ndihmën e parë pacientit. Në rastet e gjendjes së rënduar të pacientëve, atëherë trajtimi do të bëhet në spitalin rajonal më të afërt.
Shërbimet
Sasitë e përshkruara në listë duhet të jenë gjithmonë të pranishme pranë QSH-ve, të cilat prej dy vjetësh e kanë mundësinë financiare për të përballuar këtë shërbim. Drejtorët e QSH-ve e kanë për detyrë kontraktuale t’i përgjigjen kësaj liste. Lista me shërbimet e detyrueshme të urgjencave përbëhet nga 68 pajisje dhe medikamente, të shoqëruara me sasitë përkatëse që duhet të ruhet si rezervë e përhershme. Kjo është pjesë e ndryshimeve që ISKSH-ja ka ndërmarrë këtë vit, duke e krahasuar me vitin e kaluar. Ky institucion ka përcaktuar një paketë të re shërbimesh në të gjitha qendrat shëndetësore të vendit gjatë lidhjes së kontratave për 2009-n. Paketa e re e shërbimeve është shpërndarë në të gjitha qendrat shëndetësore, është përcaktuar në bazë të aktivitetit që kryhet në terren lista e medikamenteve që duhet të jenë prezent në QSH-të për trajtimin e rasteve urgjente. Pjesë e kësaj pakete është rritja e vlerësimit për mjekun në rastet e punës së kryer në terren, ku do të përfitojë 11.000 lekë mbi pagën bazë. Shërbimet parësore që përfshihen në paketë janë 7 shërbime bazë mjaft të detajuara. Kështu, të gjithë pacientët që do të drejtohen në qendrat shëndetësore do të njihen me të gjitha shërbimet që do të ofrohen nga spitalet dhe së bashku me to dhe kostot reale. Një ndryshim tjetër është që receta e lëshuar nga mjeku për personat e siguruar do të jetë ndryshe nga receta që do t’u jepet personave të pasiguruar. Shërbimi i urgjencës, që është një shërbim i ri në këto qendra, përcakton të gjitha medikamentet që do të duhen për të tilla raste.
Paketa
Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka hartuar dhe miratuar kontratat e reja me 413 qendrat shëndetësore në të gjithë vendin. Ndryshe nga viti i kaluar, këtë vit kontratat shoqërohen me një paketë shërbimesh të detajuar, e cila do të shërbejë edhe për kostifikimin e shërbimeve shëndetësore. Paketa e re e shërbimeve shëndetësore në shërbimin parësor përfshin edhe listën e barnave të urgjencës që duhet të ketë një qendër shëndetësore. Kjo listë standardizon këtë shërbim në të gjithë vendin, përcakton emrat e 68 barnave dhe materialeve të konsumit që duhet të ketë një qendër shëndetësore për trajtimin e urgjencave. Kështu, këto medikamente fillojnë që nga serumet deri në trajtimin e rasteve urgjente me sëmundje nervore, astmatike, shoku anafilaktik etj.

18 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›