E Diel, 1 Nëntor 2026

Universitetet, si do të përzgjidhen fituesit në shkollat akademike

Artet, sportet, arkitektura, raporti mes provimeve të Maturës dhe konkursit. Përcaktohet pragu i pikëve që duhet të kapërcejë një maturant për të fituar

Jonida Tashi

Kandidatët që duan të ndjekin studimet e larta në shkollat akademike do të përzgjidhen në bazë të rezultateve që do të arrijnë në testimin e pjesës speciale të konkursit. Bazuar dhe në llojin e degës, konkursi special për këta kandidatë do të zërë deri në 80 për qind të peshës përzgjedhëse të kandidatëve fitues për në universitet. Ndërsa pjesa tjetër do t’u atribuohet provimeve të Maturës. Përjashtim në këtë rast do të bëjë vetëm dega e Arkitekturës, e cila do të japë dhe pjesën speciale, por dhe atë të lëndëve me zgjedhje, sepse kërkohet që maturantët që përzgjedhin këtë degë, të kenë aftësi edhe në fusha të tjera, të cilat janë të domosdoshme.
Konkursi
Pas përfundimit të katër provimeve të Maturës, kandidatët që duan të ndjekin studimet në degën Arkitekturë, do t’i nënshtrohen edhe një konkursi specifik. Konkursi i pranimit, që përfshin talentin dhe përgatitjen fizike, do të ketë një peshë të madhe për t’u shpallur fitues në Akademinë e Arteve, Sporteve. Maturantët që do të pranohen në këto institucione, përveç rezultateve të Maturës Shtetërore, do t’u duhet të jenë të suksesshëm edhe në këto konkurse, që organizohen për shkak të profilit të veçantë të këtyre programeve. Sakaq është përcaktuar pragu i pikëve që duhet të marrë një maturant në konkursin e pranimit për çdo akademi për të fituar të drejtën e studimit. Në Akademinë e Arteve rezultatet e Maturës Shtetërore do të llogariten në masën 20 për qind dhe rezultatet e konkursit të pranimit në masën 80 për qind. Në bazë të propozimit të këtij institucioni, kandidati që nuk do të marrë 25 për qind të pikëve të konkursit të pranimit nuk fiton të drejtën për të studiuar në programet e studimit të kësaj akademie për vitin akademik 2009-2010. Në Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi” në Tiranë dhe në programin e studimit “Edukim fizik dhe sporte” të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës raporti mes provimeve të Maturës dhe konkursit të pranimit do të jetë në masën 30 për qind Matura me 70 për qind konkursi. Në programin e studimit “Arkitekturë” në Universitetin Politeknik të Tiranës ky raport i rezultateve do të jetë në masën 35 për qind me 65 për qind, ku përsëri peshën kryesore do ta ketë konkursi i universitetit.
Pranimet
Pranimet e studentëve në Akademinë së Arteve, në Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi” dhe në programin e studimit “Edukim Fizik dhe Sporte” të Universitetit të Shkodrës, këtë vit do të bëhen mbi bazën e rezultateve të dy provimeve me detyrim të Maturës Shtetërore dhe të rezultateve nga konkursi i pranimit i organizuar nga këto institucione publike të Arsimit të Lartë. Në rregulloren e Maturës 2009 është vendosur që shtetasit shqiptarë, që duan të vazhdojnë studimet vetëm në Akademinë e Arteve të Bukura, Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve si dhe në programin e studimit të Edukimit Fizik dhe Sporteve në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, mund të konkurrojnë në këto institucione të Arsimit të Lartë publik pa qenë të detyruar të japin provimet e lëndëve me zgjedhje. Maturantët që do të pranohen në këto institucione, përveç rezultateve të dy provimeve të Maturës, duhet të kalojnë me sukses edhe testimin special në konkurs, për të vijuar më tej studimet e larta. Një vit më parë MASH-i vendosi t’i organizojë konkurset speciale të shkollave të larta akademike në muajin korrik, në mënyrë që raundet e pranimeve në universitete, sipas sistemit Meritë-Preferencë (MeP), të përfundonin më herët dhe brenda javës së parë të vitit akademik.

Raporti i pikëve Maturë/konkurs

Akademia e Arteve
Në Akademinë e Arteve rezultatet e Maturës Shtetërore do të llogariten në masën 20 për qind dhe rezultatet e konkursit të pranimit në masën 80 për qind. Në bazë të propozimit të këtij institucioni, kandidati që nuk do të marrë 25 për qind të pikëve të konkursit të pranimit nuk fiton të drejtën për të studiuar.

Akademia e Sporteve
Në Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi” në Tiranë dhe në programin e studimit “Edukim fizik dhe sporte” të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, raporti mes provimeve të Maturës dhe konkursit të pranimit do të jetë në masën 30 për qind Matura me 70 për qind konkursi.

Arkitektura
Në programin e studimit Arkitekturë në Universitetin Politeknik të Tiranës ky raport i rezultateve do të jetë në masën 35 për qind me 65 për qind, ku përsëri peshën kryesore do ta ketë konkursi i universitetit.

Maturantët që kanë kryer shkollën e mesme jashtë shtetit

Maturantët që kanë kryer shkollën e mesme jashtë shtetit dhe kanë një diplomë të barasvlershme me Dëftesën e Pjekurisë të vendit tonë kanë të drejtë të vazhdojnë studimet në universitetet e Shqipërisë. Për t’u pranuar në universitetet publike të vendit, maturantët që kanë kryer shkollën e mesme jashtë, duhet të japin provimet e lëndëve me zgjedhje. Ministria e Arsimit publikon udhëzimin e posaçëm për këta kandidatë, në të cilin përcaktohen procedurat që ata duhet të ndjekin për të kryer ekuivalentimin e dëftesës si dhe për t’u regjistruar në provimet e Maturës. Maturantët që kanë mbaruar arsimin e mesëm jashtë vendit që do të japin provimet e lëndëve me zgjedhje, duhet të paraqesin për ekuivalentim në Ministrinë e Arsimit (Drejtoria e Kurrikulës dhe Monitorim, Vlerësimit) deri më 15 prill 2009 dokumentet e mëposhtme: Kërkesën me shkrim për të vazhduar studimet e larta në institucionet e arsimit të lartë publik; dëftesat origjinale me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme, të përkthyera dhe të noterizuara; fotokopje e noterizuar e pasaportës/letërnjoftimit ose certifikatë lindjeje me fotografi.
Në Ministrinë e Arsimit do të ngrihet komisioni i posaçëm për ekuivalentimin e dokumentacionit të shtetasve shqiptarë që kanë kryer shkollat e mesme jashtë shtetit dhe që dëshirojnë të vazhdojnë studimet e larta në institucionet e Arsimit të Lartë publik.

Procedurat pas njohjes së dëftesës

Komisioni i posaçëm, pasi njeh vlefshmërinë e dëftesës shkollore të shtetasve shqiptarë që kanë kryer shkollën e mesme jashtë shtetit, ndjek hapat e mëposhtëm:
Bën përllogaritjen e notës mesatare të viteve të shkollimit dhe të notave të provimeve të detyruara D1 dhe D2 ose, në mungesë të këtyre të fundit, të notave përkatëse të këtyre lëndëve.
Përcjell zyrtarisht rezultatet e mësipërme në Komisionin e Maturës Shtetërore pranë drejtorive arsimore rajonale dhe zyrave arsimore, ku shtetasi ka vendbanimin, brenda datës 30 prill 2009.
Komisioni i Maturës Shtetërore pranë drejtorive arsimore rajonale dhe zyrave arsimore ndjek hapat e mëposhtëm:
Cakton shkollën ku shtetasi do të kryejë provimet me zgjedhje dhe do të plotësojë formularët A1 dhe A2.
Përcjell pranë shkollave përkatëse notat që ka përcaktuar Komisioni i Posaçëm.
Dorëzon zyrtarisht dhe në formë elektronike në Agjencinë e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) formularët A1 të plotësuar nga shtetasit dhe përmbledhësen e të dhënave të shtetasve sipas tabelës T, brenda datës 5 Maj 2009.
Formularët A2 plotësohen nga shtetasit brenda datës 30 qershor 2009 dhe dorëzohen në Komisionin Shkollor të Maturës Shtetërore.

18 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›