Listat e fituesve në universitete, më 10 shtator
Ankthi i maturantëve për shkollën e lartë do të vazhdojë deri më datë 10 shtator, ku do të shpallen listat paraprake në të gjitha universitetet e vendit. Sipas Ministrisë së Arsimit, universitetet dhe akademitë publike do të afishojnë në këtë datë, pikët që ka marrë çdo studentë për secilën degë, e në këtë mënyrë, do të përcaktohet se cilën degë ka fituar çdo maturantë.
Ndërkohë që të dhënat, të cilat do të përdoren për këtë renditje do të përmbahen në Librin e Transparencës, që do të jetë në çdo shkollë nga një kopje më datë 20 gusht, sipas Ministrisë së Arsimit. Sakaq, për ata që dëshirojnë t`i vazhdojnë studimet me kohë të pjesshme nuk është përcaktuar ende asgjë, duke e lënë vendimin për një kohë të dytë, me shumë gjasa brenda muajit shtator.
Më 10 shtator, listat paraprake
Në datën 10, do të kenë dalë fituesit në të gjitha shkollat publike të vendit, si edhe pikët që çdo maturant ka mbledhur në provimet e detyruara dhe me zgjedhje të Maturës, si edhe në mesataren e katër viteve. Kjo, pasi Ministria e Arsimit ka vendosur që këtë vit, në ndryshim nga pranimi në universitete një vit më parë, të nxjerrë fituesit në një ditë për të gjitha degët e universiteteve publike.
Çdo maturant do të dalë fitues vetëm në një degë gjatë këtij viti. Në këtë mënyrë, lënda e përzgjedhur më lart në formularin A2 do t’i japë më shumë shanse maturantit për të fituar. Formulari A2, i plotësuar nga maturantët, përmbante 10-të degë ku ata kanë dëshirë të vazhdojnë. Nëse maturanti ka shumë pikë, do të shpallet fitues në degën e parë të përzgjedhur, ndërkohë, nëse ka më pak pikë në degën e dytë të përzgjedhur dhe kështu me radhë.
Gjithsesi, maturantët nuk do të mund të fitojnë në më shumë se një degë. Kjo, pasi në rast se ata shpallen fitues në degën e parë të përzgjedhur, nuk mund ta lënë këtë degë për t’u regjistruar në degën e dytë të preferencave të tyre. Pra, maturantët sapo të shpallen fitues, do të mund të regjistrohen menjëherë në universitet, pa pasur pritshmërinë e kuotave shtesë, që kishte vitet e kaluara çdo universitet.
Libri i transparencës, më 20 gusht
Libri i Transparencës, ku shënohen të gjitha notat e marra nga maturantët në të gjitha lëndët e detyruara dhe me zgjedhje, si edhe mesataren e tyre, të cilat do të jenë bazë për aplikimin në shkollat e larta, pritet të përfundojë brenda javës sipas burimeve nga Ministria e Arsimit, ndërkohë që do t’u jepet të gjitha shkollave të mesme të vendit në datën 20 të këtij muaji.
Pas botimit të "Librit të Transparencës", në datën 20 gusht, secili nxënës ka mundësi të verifikojë të gjitha të dhënat e tij dhe të kontestojë pasaktësitë e mundshme dhe e pasi të merren kontestimet dhe të realizohen ndryshimet e argumentuara zyrtarisht, në dhjetëditëshin e parë të shtatorit, parashikohet të bëhet përcaktimi i fituesve të fazës së parë. Edhe këto lista do të publikohen nëpër shkolla, nëpërmjet Drejtorive Arsimore Rajonale dhe Zyrave Arsimore Rajonale. Njëkohësisht listat e fituesve të fazës së parë do t’i jepen edhe të gjithë Institucioneve të Arsimit të Lartë në vend, që përfshijnë universitetet dhe akademitë, që varen nga Ministria e Arsimit.
Listat për part-time, pas sistemit me kohë të plotë
Ndërkohë që afatet për regjistrimet me kohë të pjesshme nuk do të përcaktohen më 10 shtator. Sipas Ministrisë së Arsimit, ende nuk janë përcaktuar kriteret që do të duhet të plotësojnë maturantët për t’u përfshirë në sistemin me kohë të pjesshme. Në këtë mënyrë, procedurat e aplikimit nuk do të mund të fillojnë edhe pasi të nisë viti i ri akademik. Burime nga Ministria e Arsimit bën të ditur për gazetën se regjistrimet për këtë sistem do të nisin minimalisht pasi të përfundojnë regjistrimet në sistemin me kohë të plotë, në mënyrë që të mos ketë ngatërresa në shkolla, apo një përsëritje të skenarit të dy viteve më parë, ku regjistrimi përfundoi vetëm pas 11 raundesh, e ku kishin mbetur ende vende bosh në universitete.
20 gusht do të shpërndahet Libri i Transparencës
10 shtator do të shpallen listat paraprake të fituesve
10 degë ka zgjedhë çdo kandidatë në Formularin A2
1 degë do të mund të fitohet nga çdo kandidat
1 tetor pritet të përfundojnë regjistrimet në universitete
10 tetor pritet të nisë viti i ri akademik