E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë; Bie në kontakt me korrentin, vdes elektricisti Liçi

Një 50-vjeçar pësoi një fund të dhimbshëm teksa në punë e sipër ra në kontakt me korrentin, duke u paralizuar tërësisht prej tij dhe duke gjetur vdekje të menjëhershme. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, rreth orës 07:50 në Shish-Tufinë pranë Tiranës, te një kabinë elektrike. I ndjeri, Nazmi Liçi, 50 vjeç, lindur dhe banues në Shish Tufinë, prej vitesh elektricist, ishte duke punuar në kabinë kur befas e gjeti veten të përfshirë nga rryma e tensionit të lartë të energjisë elektrike. Në pak sekonda, pa mundur të shpëtojë jetën e tij, duke u përpjekur të riparojë defektin e linjës së zonës, 50-vjeçari ka gjetur vdekjen. Në vendngjarje u mblodhën shumë njerëz, disa prej të cilëve e transportuan 50-vjeçarin për në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Por kjo ishte një përpjekje e kotë, pasi sipas mjekëve të urgjencës, i dëmtuari kishte mbërritur atje i vdekur. Burime zyrtare nga Komisariati i Policisë Nr. 4 në Tiranë thanë se kanë ngritur një grup hetimor me synim për të zbardhur tërësisht rrethanat dhe shkaqet e kësaj ngjarjeje. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme, pasi mbetet të sqarohet kush e aktivizoi rrymën elektrike ndërsa elektricisti ishte duke punuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›