E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama sfidon Berishën: Votojmë paketën e Metës

INTERVISTA/Tre ligjet po i mban peng Saliu, i duhen për propagandë

Nga Muhamed Veliu-TCH
RamaGjatë një interviste për Top-Channel kryetari i PS Edi Rama shprehu mbështetjen e tij për paketën e propozuar nga Ilir Meta që lidhet me miratimin e dy ligjeve dhe rregullores së Kuvendit. Sakaq zoti Rama i dha përgjigje ministres së Integrimit e cila pak më herët deklaroi se dyshja Rama-Meta janë duke luajtur bllofin me 3 ligjet. Qysh ditën e parë kur kryetari i LSI-s ka dalë me një paketë kompromisi për të miratuar të tre ligjet dhe vendosur që ato të hynë në fuqi me parlamentin e ri, ne jemi shprehur dakord. Mirëpo është e qartë që ka vetëm retorikë dhe propagandë të shfrenuar anti-opozitare nga qeveria dhe me sa duket nuk ka në fakt asnjë vullnet për ti miratuar këto tre ligje, deklaroi Rama. Sipas Edi Ramës është maxhoranca që duhet ti çojë në Kuvend tre projektligjet. Është shumica ajo që ka në dorë të marri nismën të paraqesë në kuvend propozimin e këtyre dokumentave me propozimin e kompromisit të bërë nga LSI-ja, dhe pastaj vota e kuvendit do të tregojë se kush ka ndërmend, çfarë dhe kush bën propagandë e kush në fakt është i interesuar drejtpërdrejtë për ecurinë e procesit, sqaroi Rama. Dy ditë më parë nga Gjirokastra kryeministri Berisha deklaroi se unë do ti kërkoj kryetares së parlamentit dhe deputeteve të mi, që të votojnë që nesër. Ne kemi pritur mbi 200 ditë, por Edi Rama mendon se gjitha i nevojitet Berishës për propagandë elektorale. Është e qartë që kryeministri ka nevojë që këto 3 ligjet të qëndrojnë të pavotuara për të mbushur çdo ditë topat e tij të fushatës elektorale tanimë që i gjithë baruti i është lagur komplet dhe për tu përpjekur që tu tregojë shqiptarëve atë që shqiptarët nuk e besojnë se gjithçka që ata po jetojnë në këtë papunësi në këtë varfëri në këtë dëshpërim social lidhet me këto tre ligjet dhe opozitën. E vërteta, theksoi Rama, është se shqiptarët janë shumë të vetëdijshëm që koha për rotacionin, është vetëm pak ditë, përpara tyre dhe më 23 qershor ata do ta votojnë me votën e tyre përfundimisht rotacionin dhe fundin e këtij rrënim të vazhdueshëm. Ndërsa për deklarimin e ministres së Integrimit Majlinda Bregu se dyshja Rama-Meta janë duke luajtur bllofin me 3 ligjet kryesocialisti bëri këtë koment: Po pra është zonja Bregu dhe zoti Kodra-Saliu. Kodra mbas Bregut dhe bregu që del pas kodrës dhe prandaj shqiptarët më 23 qershor do ta lënë edhe kodrën edhe Bregun dhe do të vazhdojnë në det të hapur rrugëtimin e tyre drejt familjes Europiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›