E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria miraton 7 milion e 100 mijë euro për aparaturat e departamentit të Neurokirurgjisë



Lizeta Duro

Me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë, qeveria shqiptare ka miratuar kredinë e butë të qeverisë austriake në vlerën e 7 100 000, (shtatë milion e njëqind mijë euro) duke bërë të mundur zbatimin e fazës së dytë të projektit për përmirësimin e departamentit të neurokirurgjisë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë departamenti i Neurokirurgjisë do të jetë tashmë pjesë e shërbimeve elitare në vendin tonë dhe një qendër reference në rajon për pacientët e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Kosovës. Kjo kredi i hap rrugën zbatimit të modernizimit të spitalit të neurokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” me pajisje bashkëkohore, pas inaugurimit të rikonstruksionit të tij para disa javësh me fonde të buxhetit të shtetit në vlerën e 3.5 milion dollarëve. Kjo fazë do të bëjë që për herë të parë në spitalet publike shqiptare pacientet do të mund të përfitojnë nga trajtimi me pajisjen bashkëkohore Akselerator Linear i cili bën të mundur trajtimin e sëmundjeve tumorale me preçizion të lartë dhe me efekte anësore minimale.

Cano

Sekretarja e Përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë, Mirela Cano u shpreh dje në një deklaratë për shtyp se faza e dytë në të cilën do të bëhet pajisja me aparatura do të beje të mundur përmirësimin e aksesit në një shërbim spitalor cilësisht më të mirë për popullatën në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi që në total arrin në rreth 7 milion banorë. “Departamenti i Neurokirurgjisë do të ketë gjithashtu tre salla operacioni moderne, trajtim post operator si dhe salla reanimacioni të pajisura gjithashtu sipas standardeve evropiane. Për herë të parë në spitalet publike pacientët do të përfitojnë nga trajtimi me një ndër teknologjitë me moderne për sëmundjet tumorale me efekte anësore minimale siç janë akseleratorët linearë”, u shpreh Cano. Sekretarja e Përgjithsme e MSH shtoi se tashmë, me pajisjet e reja dhe me burimet njerëzore të specializuara do të bëhet e mundur që trajtimi mjekësor në fushën e neurokirurgjisë të kryhet me cikël të mbyllur duke ofruar shërbim cilësor të plote brenda Shqipërisë pa qenë e nevojshme për shpenzime të mëtejshme në trajtime te specializuara jashtë vendit

Departamenti

Në Spitalin e Neurologjisë rreth një muaj më parë u krye për herë të parë një ndërhyrje kirurgjikale në tru pa hapur kafkën e kokës nën drejtimin e neurokirurgut të njohur shqiptar Mentor Petrela. Ndërsa një ditë pas kësaj ndërhyrjeje historike, në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza është bërë përurimi i punimeve në Spitalin e Neurologjisë ku morën pjesë kryeministri Sali Berisha, ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili, drejtori i QSUT-së, Saimir Ivziku etj. Ky pavion përballon mesatarisht rreth 50 mijë konsulta në vit, ndër to 1 mijë e 500 në neurologji dhe 2 mijë në psikiatri. Afërsisht, 400 deri ne 500 pacientë të diagnostikuar me tumore të sistemit nervor operohen pa mbështetjen e trajtimeve shtesë si radioterapia apo radio-kirurugjia. Gjithashtu, po në këtë departament kryhen rreth 150 deri në 200 ndërhyrje kirurgjikale vaskulare.

Të dhëna mbi spitalin e Neurokirurgjisë

- 1.100-1.200 ndërhyrje neurokirurgjikale në vit, numër ky në rritje e sipër. Tashmë kryhen afërsisht 1.500 ndërhyrje në vit me një tendence drejt 500-700 ndërhyrje për 1 milion banorë
- Numri mesatar i konsultave është 50.000 në vit, nga këto 15.000 kryhen në neurokirurgji me 6.000 pacientë që vijnë nga Kosova dhe Maqedonia 15.000 në neurologji dhe 20.000 në psikiatri.
- Në një vit afërsisht 400-500 pacientë të diagnostikuar me tumore të sistemeve nervore operohen pa mbështetjen e trajtimeve shtesë si radioterapia apo radiokirurgjia.
- Në një vit kryhen 150-200 ndërhyrje kirurgjikale vaskulare.
- Më shumë se 22.000 ekzaminime neuro-fiziologjike kryhen në departamentin tonë me konsulta respektive.
- Çdo vit më shumë se 1.100 studentë të Fakultetit të Mjekësisë Infermierisë dhe Shkencave Sociale kryejnë në këtë departament kurse mësimore praktike dhe teorike.
- Çdo jave arrihet edukimi i vazhdueshëm nëpërmjet një stafi multidisiplinar përfshirë këtu endokronologun patologun onkologun etj. Diskutohen dhe rishihen modulet e integruara dha protokollet.
- Shkëmbimet ndërkombëtare ndërmjet disiplinave mjekësore janë te rregullta duke u organizuar dhe aktivitete vjetore me spitale universitare ne France Itali Angli Gjermani USA Austri etj.
- Trajnimi laboratorik për mikrokirurgjinë organizohet nga departamenti i kirurgjisë për nën specialitetet e tjera.
Ndërhyrjet qe kryhen në këtë spital
- ekzaminime neurofiziologjike EMG/ENG PEV EEG CT MRI
angiografi teste neuro - oftamamologjike ekokardiografi Ultrasound
- kirurgji shpine me stabilizim
- kirurgji tumori ne tru
- kirurgji vaskulare aneurema keformime arterio-venoze enderektomi
kariotide anastomosis ekstra-intra kranale
- endoskopi
- kirurgjia e nervave periferike
- kirurgjia pediatrike
- kirurgjia funksionale dhe procedurat e dhimbjes
- kirurgjia riparuese kranio-faciale
- stereotakti dhe mikrokirurgji e epilepsisë

24 Dhjetor 2010

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›