E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liverpool, fajtor për lëndimet e Owenit

Ish sulmuesi i Anglisë, Michael Owen ka fajësuar keqmenagjimin në ditët e tij të para në Liverpool për lëndimet që i kanë shkatërruar karrierën.

Në një postim në uebfaqen e tij (www.michaelowen.com) të shtunën, sulmuesi i Stoke Cityt ka thënë se nuk do të kishte aq shumë probleme fizike nëse në moshë të re do të kishte kaluar te rivali i Liverpoolit, Manchester United. Owen, i cili nënshkroi për Stoke në shtator por bëri vetëm katër paraqitje si rezervist për klubin e Premierligës, është aktualisht i dëmtuar.

“Mendoj se kam pësuar lëndime të njëpasnjëshme për shkak të mbingarkesës në moshën e re”, shpjegoi ai. “Në rastin tim mendoj se kam luajtur shumë, në moshë të re. Problemi i futbollistit të ri është se dëshiron të luajë çdo javë andaj duhet të jetë përgjegjësi e trajnerit që merr vendimet. Mendoj se më së miri është të pushoni nga pak në mënyrë që të kaloni karrierë të gjatë pa lëndime”, shtoi Owen i cili depërtoi në skenë më 1997 duke shënuar në debutimin e tij për Liverpoolin si 17 vjeç.

Ai u inkuadrua edhe në ekipin e Anglisë, por tashmë disa vite vuan nga lëndimet e vazhdueshme.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›