Liverpool, në luftë për mbijetesë

Ish mesfushori i Liverpoolit, Ray Houghton ka thënë se ekipi është në luftë për mbijetesë. Reds pësuan humbje 2-1 në Blackpool të mërkurën mbrëma, derisa Kenny Dalglish u mposht në takimin e tij të parë në Premierligë.
Gjiganti nga Anfield Road gjendet vetëm katër pikë mbi zonën e rrezikuar dhe përballet me rrezikun e papritur të zhytjes në luftë për shpëtim.
“Në momentin që Blackpool e barazoi rezultatin, u zbeh besimi i ekipit dhe ndeshja u bë e parashikueshme”, tha Houghton për talkSport. “Ata tani janë në luftë për mbijetesë”, shtoi ish reprezentuesi i Republikës së Irlandës, anëtar i ekipit të suksesshëm të Liverpoolit nga 1987–1992.
“Steve Clarke (asistenti i ri i Liverpoolit) duhet të punojë rreth asaj që ekipi të mos pranojë shumë gola në udhëtim sepse ajo është vendimtare.
Para se Blackpool të shënonte, Liverpooli ishte ekip shumë më i mirë. Por, në momentin që Blackpool e barazoi rezultatin, besimi i ekipit u zbeh dhe ata filluan ta kërkonin Fernando Torresin dhe gjithçka u bë e parashikueshme. Liverpool nuk krijoi raste të mjaftueshme, ndërsa Blackpool shënoi edhe njëherë duke i futur ata në telashe dhe kjo ishte dëshpëruese”, përfundoi ai.