Kurrë në Inter

Sulmuesi i Milanit, Alexandre Pato ka thënë se nuk do të përcjellë shembullin e bashkëkombësit të tij brazilian Leonardo, i cili ndërroi ngjyrat e klubit të qytetit.
Leonardo përfundoi bashkëpunimin e tij 13 vjeçar në Milan si futbollist, skaut, drejtor teknik dhe trajner në fund të sezonit të kaluar, kur edhe skadoi kontrata e tij njëvjeçare si trajner.
Ai provokoi zemërimin e tifozëve të Milanit duke kaluar te rivali i qytetit Inter, vetëm gjashtë muaj pas largimit nga San Siro.
Edhe pse partneri i tij sulmues Zlatan Ibrahimoviç ka bërë lëvizje të njëjtë, por në drejtim të kundërt – nëpërmjet Barcelonës – Pato është zotuar se kurrë nuk do ta bartë fanellën e Interit.
“Kjo është një punë dhe Leonardo ka bërë zgjedhjen e tij dhe ne të gjithë e respektojmë atë vendim. Inter është ende Inter, ekip i fortë që fitoi të gjitha vitin e kaluar dhe ka fituar shumë tituj në vitet e fundit. Por, ne jemi të përqendruar në synimet tona dhe jemi të bindur se në fund do të arrijmë rezultate të mira. E përsëris, vetëm dua të fitoj me këtë fanellë të cilën do ta barti përderisa klubi e kërkon atë. Inter ? Jo, e dua vetëm Milanin”, tha Pato për Sky Italia.