Ronaldinho pritet nga 20 mijë tifozë

Ronaldinho ishte pritur nga mbi 20 mijë njerëz në Rio de Janeiro, derisa kompletoi transferimin në Flamengo.
Ish fituesi i Topit të Artë ka nënshkruar kontratë katërvjeçare me klubin brazilian pas largimit nga gjiganti italian Milan.
Pas pritjes, e cila u krahasua me rikthimin e Zicos nga Italia më 1985, Ronaldinho u zotua të kthehet në Kombëtaren braziliane pasi nuk ishte përfshirë në ekip për Kampionatin botëror 2010.
“Dua të dërgoj emrin e Flamengos sa më lart që është e mundur, duke fituar sa më shumë tituj dhe të shpaguaj dashurinë e tifozëve. Dua t’i bëj ata të lumtur. Nuk kam pritur një festë kaq të madhe. Jam krenar që më është bërë një pritje e tillë dhe të krahasohem me Zicon”, tha Ronaldinho.
30 vjeçari shtoi se objektivi i tij kryesor është të fitojë tituj me Flamengon dhe t’i ndihmojë Brazilit të merr kurorën e gjashtë të kampionit të botës.
“Ky është objektivi im. Kam vendosur të kthehem në Brazil për këtë, ndërsa disa të tjerë vijnë në Brazil për të përmbyllur karrierat e tyre”, deklaroi Ronaldinho i mbuluar me ngjyrat kuq e zi të Flamengos.