Liverpooli, për titull

Përkundër faktit se Reds e mbyllën sezonin e kaluar në pozitën e tetë, ata ishin të aftë të fitonin trofe, respektivisht Kupën e Ligës, ndërsa shkuan deri në finale të FA Cup.
Me menaxherin e ri Brendan Rodgers dhe me ndryshimet revolucionare në ekip, ku erdhën lojtarë si Joe Allen, Fabio Borini e Nuri Sahin, Gerrard beson se ata thjeshtë kanë nevojë që ta ruajnë formën konstante, për të qenë pretendentë të fortë për titull.
“Nuk mendoj se jemi me milje larg. Duhet të jemi realistë dhe ne përfunduam në pozitën e tetë sezonin e kaluar, por ne shkuam në finale të dy turneve të rëndësishëm, ku treguam se jemi ekip i mirë dhe që mund të luftojmë ndaj secilës skuadër, kur e kemi ditën tonë”, tha përfaqësuesi anglez për Sky Sports News.
“Nëse sivjet kemi nivel më të lartë, mendoj se mund ta gjejmë veten shumë më lart në tabelë. Kush e di se çka fshihet në fund? Unë do të shikoj lojë pas loje dhe me shpresën që mund ta ngre lart trofeun dhe ta realizoj ëndrrën time, por më duhet ta pranoj se jam realist”, përfundoi Gerrard, i cili e lavdëroi edhe trajnerin Brendan Rodgers.