Liverpuli në krizë, e ardhmja e Benitez në dyshim
LONDER- Humbja ndaj Lionit e ka vënë në një rrezik serioz postin e Rafa Benitez në pankinën e Liverpulit. Ndoshta është hera e parë në këto 5 vjet që spanjolli është kaq pranë shkarkimit nga detyra, duke parë se të kuqtë regjistrojnë 4 humbje radhazi mes Ligës së Kampioneve dhe kampionatit dhe duken një krizë totale. Liverpuli është në rrezik serioz për t’u kualifikuar në turin tjetër të Champions League, kompeticion ku Benitez është konsideruar gjithnjë një specialist. I pyetur se çfarë duhet të bëjë tani Liverpuli, Benitez u përgjigj: “Mendoj se ne kemi diçka për të bërë, duhet të fitojmë 3 ndeshjet e mbetura. Duhet t’i përgatisim lojtarët për ndeshjet e vështira që na presin dhe të kemi besim se do t’ia dalim. Edhe ndaj Lionit ne patëm raste të mira, por nuk mundëm të fitonim”. Por, akuzat më të rënda për Rafa Benitez vijnë për hedhjen në fushë të kapitenit Stiven Zherard që ishte i dëmtuar dhe doli shumë shpejt nga fusha e lojës. Madje, ai rrezikon të mos jetë edhe në takimin e fundjavës kundër Mançesterit. “Nuk ishte e rrezikshme ta aktivizoja, pasi doktori më tha që është Ok dhe Stivi ishte stërvitur rregullisht dy ditët e fundit. Ai ishte mirë, por ndonjëherë fatit të keq nuk i dihet”, sqaroi Rafael Benitez. Për mbrojtësin Fabio Aurelio, kthesa e Liverpulit mund të vijë me ndeshjen ndaj Mançester Junajtid këtë fundjavë. “Ndaj Lionit ishte një nga ato ndeshje decizive që duhet ta fitonim dhe nuk ndodhi kështu, por tani kemi një tjetër sfidë ku duhet të jemi të përqendruar. Dy takimet e radhës janë shumë të rëndësishme për sezonin tonë, pasi mund ta bëjnë atë më të mirë ose më të tmerrshëm”, u shpreh Fabio Aurelio.(e.n/A.Latifi/Balkanweb)